Kuvend, shqyrtohen raportet e shërbimeve, Remenski: Shërbimet janë shpërdoruar
Pas dyerve të mbyllura, Komisioni parlamentar për Mbikëqyrjen e DSK-së...

Pas dyerve të mbyllura, Komisioni parlamentar për Mbikëqyrjen e DSK-së dhe Agjencisë për Zbulim shqyrtoi raportet e shërbimeve për vitin 2016.
Meqë raportet kanë të bëjnë me funksionimin e këtyre dy institucioneve gjatë qeverisjes së kaluar, anëtarët e komisionit nga shumica aktuale kanë kërkuar informacione shtesë, ndërkaq anëtarët nga opozita i kanë mbështetur ato.
Frosina Remenski nga LSDM-së arsyetoi qëndrimin e anëtarëve të shumicës. Sipas saj, shumica ka vënë re shpërdorim të shërbimeve për qëllime politike.
“DSK-ja, gjegjësisht disa individë të caktuar, e kanë shpërdorur pozicionin e tyre, gjegjësisht qasjen dhe posedimin e të dhënave operative në relacionet me internet portale, media dhe përfaqësues të VMRO-DPMNE-së, e cila atëherë ishte në pushtet për krijimin e aktiviteteve propaganduese dhe propagandës që e dëgjonim gjatë vitit të kaluar, 2016”,- deklaroi deputetja e LSDM-së, Frosina Remenski.
Remenski tha se janë kërkuar informata shtesë edhe për ngjarjet në Kuvend më 27 prill dhe pjesëmarrjen e agjentit serb në këto ngjarje, për të ndërtuar qëndrim dhe marrëdhënie të fqinjësisë së mirë në bazë të informatave dhe argumenteve dhe jo në bazë të shpifjeve dhe dezinformatave.
Raportet i prezantuan vetë drejtorët e agjencive përkatëse, ndërsa qasje në informatat e klasifikuara nuk kishte vetëm anëtari i Komisionit nga radhët e BDI-së, Ejup Alimi, për shkak se nuk posedon certifikatë të sigurisë.
Për shkak të informacioneve të klasifikuara në Raportet e agjencive përkatëse, debati ishte i mbyllur për opinionin. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
