Botë
Përmbytjet në Hjuston, 37 bilanci i viktimave, rrezik nga uzina kimike
31.08.2017 09:56
Hjustoni vazhdon të përballet me pasojat e stuhisë që nuk ka të ndalur, teksa një e treta e shtetit është nën ujë...

Ende nuk llogaritet dot me saktësi numri i personave që presin evakuimin, ndërsa numri i vdekjeve ka mbërritur në 37.
Viktima më e fundit ishte një efektiv policie, 60-vjeçari, Steve Perez, i cili u mbyt kur makina e tij u rrëmbye nga ujërat teksa shkonte në zonat e përmbytura si pjesë e ekipeve të shpëtimit.
Autoritetet kanë marrë 70 mijë telefonata për ndihmë nga banorë të bllokuar. Shumë prej tyre kanë parë vdekjen me sy teksa janë rrëmbyer nga uji, por për fat disa arritën të shpëtojnë.
“Një burrë e mori uji me vete, e përplasi pas një peme dhe ne thamë se vdiq. U bë qetësi, më pas dëgjuam ulërima. Ishte kapur pas degëve të pemës. Shkuam me varkë dhe ai u kap pas varkës dhe arritëm ta shpëtojmë”,- tha një dëshmitarë i rastit.
Zyrtarët kanë megjithatë edhe një shqetësim tjetër: një uzinë kimike pranë Hjustonit pritet të shpërthejë apo të marrë zjarr këto ditë.
Gjatë stuhisë, kompleksi Arkema humbi aftësinë e ftohjes së elementeve kimike që duhet të mbahen në temperatura të ulëta dhe nuk ka asnjë mënyrë për ta parandaluar një zjarr të mundshëm.
Në këtë uzinë prodhohet peroksid organik dhe kimikatet e ndodhura atje mund të bëhen të rrezikshme në kushte nxehtësie.
Reshje të dendura shiu priten gjatë tre ditëve të ardhshme nga Luizjana deri në Kentaki, ndërsa paralajmërimi i përmbytjeve mbetet në fuqi për juglindjen e Teksasit dhe jugperëndimin e Luizjanës.
AIDA ZIBERI
