Botë
Mogerini: gjyqësori në veri integrohet në atë të Kosovës; Thaçi: Kosova e Serbia, dy shtete të pavarura; Vuçiç: hapëm bisedimet për marrëdhëniet serbo-shqiptare
31.08.2017 14:42
Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Europian, Federika Mogerini...

Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Europian, Federika Mogerini, ka organizuar takimin e radhës mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, dhe ati të Serbisë, Aleksandar Vuçiçit.
Siç bëjnë të ditur nga kabineti i Mogerinit, takimi i sotëm ishte vazhdimësi e atij të 3 korrikut, në të cilin palët ishin pajtuar që të fillonin punën në fazën e re të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës për normalizimin e marrëdhënieve.
“Dy palët janë pajtuar për hapat e fundit në implementimin e Marrëveshjes për drejtësi të arritur me dialogun e ndërmjetësuar të BE-së. Presidentët konfirmuar se marrëveshja do të implementohet plotësisht deri më 17 tetor 2017. Në këtë ditë, gjykatësit, prokurorët dhe stafi gjyqësor do të integrohen plotësisht në Gjyqësorin e Kosovës. Integrimi i personelit gjyqësor do të mundësojë që drejtësia të ndahet në të gjithë Kosovën dhe, pjesërisht, në regjionin e Mitrovicës”,- thuhet në njoftimin e zyrës së Mogherinit.
Nga ana tjetër, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas takimit tha se Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje përfundimtare të normalizimit të marrëdhënieve.
“Jemi dy shtete te pavarura dhe sovrane, por kemi nevojë për ndërtimin e marrëdhënieve fqinjësore dhe njohjen mes dy shteteve. Kosova ka besim të madh tek zonja Mogherini, por edhe tek ShBA-të”,- tha Thaçi.
Sipas tij, sot gjatë takimit me Vuçiçin ka ndodhur një komunikim më normal se më parë, por kërkohet një marrëveshje përfundimtare – marrëveshje për paqen dhe stabilitetin për tërë rajonin e Ballkanit Perëndimore.
“Marrëveshja përfundimtare duhet e miratohet me një deklarim përfundimtar të qytetarëve të Kosovës”,- tha më tutje Thaçi.
Derisa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pas takimit ka deklaruar se janë hapur bisedimet për marrëdhëniet afatgjata ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.
Ai po ashtu e ka hapur çështjen e arrestimit të serbit, Bogdan Mitroviq, në Suharekë, i cili akuzohet për krime lufte ndaj shqiptarëve në vitin 1999.
Vuçiçi ka theksuar se zgjidhja historike e marrëdhënieve ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve do të thoshte shumë edhe për Beogradin edhe për Prishtinën, kështu që këso bisedimesh do të vazhdojnë, edhe pse, tha ai, nuk është optimist i madh.
“Shoh mundësi të vogël në zgjidhjen e çështjeve ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve dhe duhet t’i shfrytëzojmë. Ia vlen të provohet për shkak të së ardhmes”,- theksoi Vuçiç.
Dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel pritet të vazhdojë gjatë javëve të ardhshme.
GYLTENE SINANI
