Maqedoni

Bajrami i Kurbanit, Rexhepi: ndihmoni të varfrit, përqafoni familjarët dhe miqtë

31.08.2017 15:19

Kreu i BFI-së, Sulejman Rexhepi, ka dhënë mesazhin tradicional në prag të Bajramit të Kurbanit...

Ndihmoni më të varfrit, shtrini dorën dhe përqafoni familjarët dhe miqtë, është ditë e pajtimit dhe dashurisë, përkujton Sulejmani.
 
“Të dashur besimtarë, sakrificat tona nuk duhet të konsistojnë vetëm në therje të kurbaneve, ato duhet t’i kemi të përditshme. Duke u ruajtur nga tundimet e ndryshme me të cilat na sprovon kjo jetë, në fakt ne qëndrojmë gjithnjë në rrugën që na shpie deri te kënaqësia e Krijuesit tonë. Vëllezër dhe motra, besimtarë myslimanë, pas faljes së namazit të Bajramit, do të therim kurbane! Do të shpërndajmë mishin për të varfrit, me qëllim që gjithsecili, në këtë ditë festive, të ketë mundësinë për një sofër më të pasur. Shtrijani dorën dhe merruni ngryk me të gjithë anëtarët e familjes, me njerëzit e juaj, me miqtë e me fqinjët! Është ditë e pajtimit, ditë e dashurisë, ditë kur fuqishëm përkujtohemi që të gjitha veprat e mira bëhen ekskluzivisht për Allahun fuqiplotë. Duke u dëshiruar shëndet vëllezërve dhe motrave tona që i kemi në Haxh, duke e lutur Allahun mëshirëplotë që t’ua pranojë të gjitha lutjet dhe ibadetet e kryera nëpër vendet e shenjta, uroj edhe diasporën që gjithnjë ka qenë me ne”,- deklaroi Reisul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi.