Shterijev zë vendin e Anevskit, premton bashkëpunim me PPS-në dhe transparencë
Në vendin e Petar Anevskit si kryetar i Këshillit të Prokurorëve do të ulet Kole Shterijev...

Në vendin e Petar Anevskit si kryetar i Këshillit të Prokurorëve do të ulet, Kole Shterijev. Kjo vjen pasi që Petar Anevski dha dorëheqje për shkak të, siç tha, obligimeve familjare.
Të gjithë nëntë anëtarët konstatuan dorëheqjen e Anevskit dhe votuan Shterijevin për kryetar të ri. Pas zgjedhjes ai premtoi më shumë bashkëpunim me PPS-në, më shumë transparencë dhe kthimin e reputacionit të këshillit.
“Do të mundohem të shfrytëzoj kapacitetin tim dhe të anëtarëve të këshillit dhe shpresoj se do të arrijmë të ndërrojmë imazhin e këshillit, por këtë do ta them pasi që ta bëjmë. Përshtypjet në opinion se këshilli ka qenë në konflikt me Prokurorinë Speciale nuk janë përshtypje, por është situatë reale. Unë jam i vetëdijshëm për reputacionin e dëmtuar të institucionit, por unë do të punoj për të përmirësuar reputacionin e saj. Këshilli në të ardhmen do të jetë më transparent”,- deklaroi kryetari i Këshillit të Prokurorëve, Kole Shterijev.
Shteriev për vetëm një vit është anëtar i Këshillit të Prokurorëve Publikë. Më parë ai ishte pjesë e Prokurorisë së Lartë Publike dhe Prokurorisë për Krim të Organizuar. Petar Anevski u zgjodh kryetar i Këshillit të Prokurorëve Publikë më 30 qershor 2014. Në krye të Këshillit erdhi nga Prokuroria e Lartë në Manastir. Sipas ligjit, Këshilli i Prokurorëve Publikë duhet të ketë 11 anëtarë. (Sanije Duraku, TVM2)
