Vrasja e Ndrecajt dhe Rizajt, Ukshini: U ekzekutuan se nuk i pranuan 5 mln euro

31.08.2017 17:11

Liderët e “Grupit të Kumanovës”, Beg Rizaj dhe Mirsad Ndrecaj, i ekzekutuan pas dorëzimit....

Liderët e “Grupit të Kumanovës”, Beg Rizaj dhe Mirsad Ndrecaj, i ekzekutuan pas dorëzimit për shkak se nuk pranuan të marrin 5 milion euro,  ka deklaruar në fjalët e tij përfundimtare, Sami Ukshini - Komandant Sokoli para trupit Gjykues. Sokoli, madje, tha se ekziston një incizim ku shihet tregtia që shërbimet sekrete kanë dashur ta bëjnë me liderët e grupit.

“Nëse jemi terrorist, siç ju thoni, cili shtet normal bën pazar me një grup terroristësh. Kemi inçizime të atyre dy djemve, kur ju keni ofruar para, 5 milionë euro, por nuk kanë pranuar dhe i keni vrarë, i keni ekzekutuar”,- tha Sokoli.

Duke iu drejtuar prokurorisë dhe trupit gjykues Ukshini  u shpreh: “Ju jeni një mekanizëm tjetër kriminel i një shteti, që dëshiron të na dënojë për terrorizëm. I keni vrarë fëmijët në Smillkovcë për t’i akuzuar shqiptarët, ju kanë ndihmuar edhe serbët”.

Ndaj deklaratës së Ukshinit kishte reagime të shumta nga trupi gjykues, i cili u shpreh se nuk do të tolerojë ofendime ndaj trupit gjykues, prokurorisë dhe shtetit. Ukshini, Genci Sefaj, Enver Hoxha-Klaj, Ardian Bujari dhe Landrit Rustemaj janë të bindur që më 10 maj nuk ka luftuar grupi ashtu siç pohon prokuroria, pasi që të gjithë pjesëtarët e grupit janë dorëzuar më 9 maj dhe gjithçka këtu ka përfunduar.

LUFTIMET NË “LAGJEN E TRIMAVE”, SEFAJ: U DORËZUAM MË 9 MAJ, KUSH LUFTOI MË 10 MAJ?

Pohimet e prokurorisë se më 10 maj ka pasur luftime në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë, sipas të akuzuarit, Genc Sefaj, këtë ditë kanë mundur të luftojë vetëm prokuroria dhe policët, askush tjetër. Sefaj i kundërshtoi akuzat e prokurorisë, e cila pohon se një pjesë e grupit ka ardhur për qëllime financiare dhe një tjetër për qëllime politike, duke kërkuar prej saj të sqarojë se me çfarë provash i bazon pohimet.

 “Kush janë ata persona, e kush do t’i paguante? Kush janë sponzorizuesit? Duam ta dimë se kush na ka borxh! Dy vjet vij në gjykatë dhe ende nuk mund ta gjej veten se në cilin grup bëj pjesë, politik apo financiar”,- ka ironizuar Sefaj.

Me këtë rast u tha se pjesëtarët e grupit nuk janë terrorist, por njerëz që kërkojnë status më të mirë për bashkëkombësit e tyre. (Florije Beluli-Kamberi, TVM2)