Vizita e Koziasit në Maqedoni, shpresë për avancimin e raporteve midis dy vendeve
Greqia mbështet stabilitetin dhe rrugën euroatlantike të fqinjin verior dhe të gjithë Ballkanit perëndimor....

Greqia mbështet stabilitetin dhe rrugën euroatlantike të fqinjin verior dhe të gjithë Ballkanit perëndimor.
Kështu deklaroi ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Maqedoni.
Ai tha se pret të forcohet bashkëpunimi ekonomik midis dy vendeve, të tejkalohen problemet dhe çfarëdo iredentizmi që ekziston, i cili transformon problemet e paqena në një konflikt. Nga ana tjetër homologu i tij maqedonas, Nikoll Dimitrov, tha se Maqedonia pret që Greqia ta ndihmojë në procesin e integrimeve.
“Greqia, me të gjitha forcat e saj, mbështet stabilitetin dhe sovranitetin e këtij vendi miqësor. Ky stabilitet ushqen stabilitetin tonë, ndërkaq zhvillimi ynë ushqen zhvillimin tuaj. Ne besojmë thellë se hyrja e Ballkanit Perëndimor dhe veçanërisht vendit tuaj miqësor në NATO, do të jetë lehtësim edhe për jetën tonë dhe do të ndihmojë për zhvillimin e gjithë rajonit”,- deklaroi ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias.
“Me Nikosin kishim një bisedë të hapur dhe të gjatë për çështje me interes të përbashkët dhe mendoj se kemi kontribuuar mjaft në ndërtimin e fqinjësisë së mirë të bazuar në besim të ndërsjellë dhe respektim. Presim dhe shpresojmë në ndihmë dhe mbështetje në integrimin euroatlantik dhe duam që të shihemi si miq dhe aleat dhe jo t’i shesim mend njëri-tjetrit”,- tha ministri i Jashtëm i RM-së, Nikolla Dimitrov.
Sa i përket anëtarësimit në NATO, Kocijas tha se vlejnë vendimet e Bukureshtit. Sipas tij, me realizimin e tyre ky vend do të bëhet anëtare e NATO-s. Kocijas gjatë qëndrimit të tij takoi edhe zëvendëskryeministrin për çështje europiane, Bujar Osmani. Ky i fundit vizitën e Kozijasit e cilësoi si masë që do të ndikojë në përmirësimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.
“Masat për ndërtimin e vetëbesimit janë platforma më e mirë të përmirësohen marrëdhëniet tona dhe të ndërtohen ura të komunikimit midis dy vendeve tona. Do të flasim për reformat e brendshme, planin 3-6-9, i cili ka për qëllim për të debllokuar rrugën europiane si dhe përpjekjen tonë për të absorbuar fonde europiane, bashkëpunimin ndërkufitar, të përmirësojnë raportet tona dhe gjithashtu do të ndërtojnë një besim më të madh”,- tha zëvendëskryeministri i RM-së, Bujar Osmani.
Nga ana tjetër, Kozijas tha se ka shumë rëndësi që të gjendet vullnet për zgjidhjen e problemeve midis dy vendeve. Ai përsëriti qëndrimin e tij se Greqia do të mbështesë Maqedoninë në rrugën e saj euroatlantike. (Naim Ramadani, TVM2)
