Përmbytjet në Hjuston, rritet në 37 bilanci i viktimave
Hjustoni vazhdon të përballet me pasojat e stuhisë që nuk ka të ndalur....

Hjustoni vazhdon të përballet me pasojat e stuhisë që nuk ka të ndalur, teksa një e treta e shtetit është nën ujë. Ende nuk llogaritet dot me saktësi numri i personave që presin evakuimin, ndërsa numri i vdekjeve ka mbërritur në 37.
Viktima më e fundit ishte një efektiv policie, 60-vjeçari, Steve Perez, i cili u mbyt kur makina e tij u rrëmbye nga ujërat teksa shkonte në zonat e përmbytura si pjesë e ekipeve të shpëtimit. Autoritetet kanë marrë 70 mijë telefonata për ndihmë nga banorë të bllokuar. Shumë prej tyre kanë parë vdekjen me sy teksa janë rrëmbyer nga uji, por për fat disa arritën të shpëtojnë.
“Një burrë e mori uji me vete, e përplasi pas një peme dhe ne thamë se vdiq. U bë qetësi, më pas dëgjuam ulërima. Ishte kapur pas degëve të pemës. Shkuam me varkë dhe ai u kap pas varkës dhe arritëm ta shpëtojmë”,- tha një dëshmitarë i rastit.
Dy shpërthime janë verifikuar ndërkohë në impiantin kimik “Arkema” pranë Hjustonit në Teksas, i përmbytur plotësisht pas kalimit të stuhisë tropikale “Harvey”.
Sipas autoriteteve, në ajër janë çliruar edhe substanca toksike, të paktën 9 persona janë shtruar në spital pas problemeve të frymëmarrjes nga çlirimi i fabrikës. Alarmi ra të enjten në mëngjes, kur kompania kishte shpjeguar që shpërthimet ishin të pashmangshme. Si masë paraprake është urdhëruar evakuimi i një zone prej 3 km rreth centralit, që prodhonte peroksid organik në kontenë Harris.
Sipas “Arkema”-s, nuk janë shpërndarë substanca kimike.
Reshje të dendura shiu priten gjatë tre ditëve të ardhshme nga Luizjana deri në Kentaki, ndërsa paralajmërimi i përmbytjeve mbetet në fuqi për juglindjen e Teksasit dhe jugperëndimin e Luizjanës. (Besim Abdullahu, TVM2)
