“Vala e re kulturore”, manifestimet jo më ekskluzivitet vetëm i komunave
Me qëllim të demokratizimit dhe dekoncentrimit të aktiviteteve të sferës së kulturës...

Me qëllim të demokratizimit dhe dekoncentrimit të aktiviteteve të sferës së kulturës, Ministria e Kulturës së Maqedonisë ka shpallur rezultatet e para të projektit “Vala e re kulturore”, konkurs që në dallim nga modeli paraprak ku të drejtë aplikimi dhe organizimi të aktiviteteve kulturore kanë pasur vetëm komunat, këtë vit ka modelin inkluziv dhe është hapur për rreth shumë më të gjerë të aplikantëve, organizatat joqeveritare, shoqërinë civile, iniciativat joformale, grupe artistësh dhe individë që sipas Ministrit të Kulturës paraqesin kreator real të ambientit kulturor në vend.
“Ideali ynë është qe paratë për kulturën duhet të dedikohen për ata që e krijojnë kulturën, për aktivitetet e tyre kulturore dhe jo të robërohen në projektet megalomane. Në këtë drejtim ne jemi të gatshëm që të kyçim sa më shumë njerëz kreativë në krijimin dhe zhvillimin e kulturës për të gjithë qytetarët”,- deklaroi ministri i Kulturës, Robert Allagjozovski.
Deri në konstatimin e listës përfundimtare, Komisioni do të ketë edhe një proces të selektimit të pjesës së mbetur të aplikacioneve dhe do të dorëzojë raport me sqarim për të gjithë ata që kanë aplikuar. Sipas kryetares së jurisë, në procesin e selektimit të projekteve vëmendje të veçantë i është kushtuar përfshirjes së të gjitha grupeve etnike, që përmbajtja të jetë e kapshme për grupe të ndryshme të interesimit dhe pjesëmarrësve nga fëmijët deri te të rriturit dhe të përfshihen grupe të margjinalizuara të qytetarëve.
“Në thirrjen e parë të konkursit kanë arritur 190 aplikime, të gjitha janë shqyrtuar me shumë kujdes nga ana e anëtarëve të komisionit, i cili ka vendosur që deri tani të mbështesë 52 projekte ashtu siç tha ministri, 30% nga aplikimet e arritura. Për këto projekte janë ndarë mjete në vlerë prej 6 milion denarëve, me këtë buxheti i paraparë për këtë konkurs nuk është shterur dhe thirrja për dorëzim të aplikimeve do të qëndrojë e hapur deri në plotësimin e buxhetit”,- u shpreh Kristina ivanovska – Qalovska.
“Vala e re kulturore” do të mbahet nga fundi i gushtit 2017 deri në fund të tetorit 2017, gjegjësisht deri sa të shteren fondet për realizimin e projektit për të cilin Ministria e Kulturës ka ndarë buxhet prej 10 milionë denarësh. (Arlinda Baftiu, TVM2)
