Festa e Kurban Bajramit, qytetarët ankohen për standardin e ulët
Qytetarët po i bëjnë përgatitjet e fundit sa i përket Festës së Kurban Bajramit...

Qytetarët po i bëjnë përgatitjet e fundit sa i përket Festës së Kurban Bajramit. Ekipi i TVM2 vizitoi tregun e Bit Pazarit për të parë nga afër çmimoret dhe se sa qytetarët janë të kënaqur nga çmimet të cilat po u ofrohen këto ditë.
Ndonëse tregu ishte më i mbushur se ditët e rëndomta, qytetarët ankohen se në krahasim me standardin e tyre çmimet janë të larta.
“Jo, më të larta janë. Siç po e shihni, domatet 50 denarë, specat edhe ato janë të shtrenjta, posaçërisht në kohën e sotme.
Edhe rrogat, dikush punon, dikush jo. Edhe ata që punojnë janë me rroga të dobëta, edhe për penzionerët njëjtë është”,- theksoi një blerës.
“Normale janë, çmimet e volitshme janë”,- tha një blerës.
“S’di ç’të them. Çmimet janë të volitshme, por rroga s’kemi”,- theksoi një blerës.
“Koha e popullatës tonë, që është një papunësi e madhe, edhe çmimet janë të larta. Gjithkush s’mund t’i ofrojë ato kushte”,- potencoi një blerës.
Por, nga ana tjetër, shitësit theksojnë se çmimet janë siç kanë qenë ditëve tjera. Problemi, sipas tyre, qëndron në faktin se popullata nuk ka të ardhura të mjaftueshme.
“Nuk kanë ndryshuar çmimet. Çmimet janë të njëjta. 2 kg 50 denarë portokalli, pjeshka 3 kg 100, çmimi i njëjtë është, por të ardhurat janë kryesoret”,- theksoi një shitës.
“Tjerat vite më mirë ka qenë, këtë Bajram katastrofë, asgjë nuk shkon mbarë”,- tha një shitës.
“Çmimet janë normale, si tjera herë, nuk është ngritur asgjë”,- deklaroi një shitës.
“Çmimi ka qenë edhe para Bajramit njësoj, mirëpo arra nuk ka, edhe ajo është puna. Të njëjta janë çmimet”,- potencoi një shitës.
Ndërkaq, edhe tregjet tjera shihet se janë më të furnizuara me perime si dhe prodhime të tjera, ku tregtarët bëjnë të ditur se këto kohë, me rastin e Festës së Kurban Bajramit kanë më shumë shitje se kohëve tjera. (Fjolla Telai, TVM2)
