MAQEDONI

ASHAM, memorandum me institucionet arsimore

12.06.2014 18:59

Akademia e Shkencave dhe Arteve e Maqedonisë ka nënshkruar sot memorandum bashkëpunimi me disa institucione arsimore dhe shkencore në vend...

Akademia e Shkencave dhe Arteve e Maqedonisë ka nënshkruar sot memorandum bashkëpunimi me disa institucione arsimore dhe shkencore në vend. Qëllimi i memorandumit është avancimi i bashkëpunimit mes institucioneve arsimore dhe shkencore në vend, në sferat e ndryshme të shkencës, theksoi me këtë rast kryetari i Akademisë, Vllado Kambovski.
 
“Qëllimi i memorandumit është të avancojë bashkëpunimin mes institucioneve në sferën e historisë, literaturës, gjuhës, multikulturës, t’i koordinojë aktivitetet edhe të Akademisë dhe të institucioneve në këto sfera, për shkak se resurset tona edhe materiale edhe njerëzore janë shumë të kufizuara dhe duhet të shfrytëzohen në mënyrë racionale”, deklaroi kryetari i ASHAM-it, akademiku Vllado Kambovski.
 
Një nga detyrat e para pas nënshkrimit të memorandumit do të jetë definimi i politikës shkencore të Qeverisë së re, me shpresë për takim të shpejtë me ministrin e Arsimit dhe Shkencës, ku do të prezantohen përpjekjet e këtyre institucioneve, tha Kambovski. Nënshkrues i memorandumit është edhe Universiteti Shtetëror i Tetovës, përkatësisht rektori Vullnet Ameti, i cili u shpreh se në kuadër të memorandumit ngërthehen shumë problematika arsimore dhe shkencore të institucioneve në Maqedoni.
 
“Prej tyre më së tepërmi janë të parapara të realizohen projekte të përbashkëta në nivel të Shtetit dhe në nivel ndërkombëtar, ku ndërmjet projekteve të përbashkëta që do të realizohen, do të mund të bëjmë aplikime edhe në fondet e BE-së, ku nëpërmjet projekteve mund të thithim mjete që të realizohen projekte kur duhet, se financimi i projekteve kushton”, theksoi rektori i USHT-së, Vullnet Ameti.
 
Memorandumin me Akademinë e Shkencave dhe Arteve, krahas USHT-së, e nënshkruan edhe Instituti i Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Maqedoni, universiteti “Shën Cirili dhe Metodi”në Shkup dhe disa fakultete të tij, si universiteti “Shën Klimenti i Ohrit” në Manastir, Arkivi Shtetëror i Maqedonisë, Instituti për Kulturë të Vjetër Sllovene në Prilep dhe disa institucione. 
 
MEFAIL ISMAILI