Botë
Falja e Bajramit në sheshin Skëndërbeu, Bruçaj: Vetëm me përkushtim arrihet besimi; Gurra: Islami nuk është vrasje, por feja e paqes
01.09.2017 14:37
Me mesazhe paqeje e harmonie për njëri-tjetrin si dhe lutje për më shumë begati, besimtarët myslimanë e kanë falur namazin e festës së Kurban Bajramit

Me mesazhe paqeje e harmonie për njëri-tjetrin si dhe lutje për më shumë begati, besimtarët myslimanë e kanë falur namazin e festës së Kurban Bajramit, për herë të dytë në Sheshin Skënderbej.
Kryetari i Komunitetit Mysliman Skënder Bruçaj, iu drejtua mbarë shqiptarëve se Kurban Bajrami është festë e sakrificës, ndërsa theksoi domosdoshmërinë e ndarjes së Kurbanit, me nevojtarët.
“Allahu na mëson që tek Ai nuk arrin as mishi dhe as gjaku i kurbanit, por përkushtimi që kemi për të. Kurbani është një mjet që na afron më shumë me Zotin dhe duke ndarë mishin e Kurbanit me njerëzit në nevojë, jemi më afër pëlqimit të Zotit”, shprehet kryetari i komunitetit mysliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj.
Ndër myftiu i Tiranës Ylli Gurra, përcolli për besimtarët mesazhin se islami nuk mund të jetë kurrë armë në duart e atyre që e keqpërdorin.
"Një nga ditët e madhërimit të Zotit, por jo të atij falsifikimit që përcillet në media, siç janë vrasjet dhe masakrimet duke thirrur "Allahu ekber". E kundërta, Zoti është më i madhi në pushtetin absolut dhe në demonstrimin e drejtësisë së tij me njeriun në sipërfaqen e Tokës", shprehet myfiu i Tiranës, Ylli Gurra.
Ndërkohë, edhe zyrtarët më të lartë të shetit kanë uruar besimtarët kudo që ndodhn, duke përcjellë mesazhe paqeje e dashurie.
Vitet e kaluara, namazi i Kurban Bajramit është falur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit, përballë ish-hotel Dajtit. Ndërkaq është drejt Përfundimit Xhamia e Madhe e Tiranës, e cila do të ketë një sipërfaqe prej 6000 metrash katrorë, ndërsa në të mund të falen njëkohësisht mbi 5000 besimtarë.
LULJETA NDOKA
