Botë

Orban kërkon gjysma e kostos, të paguhet nga BE

01.09.2017 15:06

Kryeministri i Hungarisë kërkon t’ia kalojë Bashkimit Evropian shpenzimet për gardhin në kufi, i cili synon të ndalojë refugjatët...

Këtë kërkesë Orbani e ka formuluar në një letër dërguar Kryetarit të Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker.
 
Në të ai kërkon një shumë prej 400 milionë eurosh. Bashkimi Evropian duhet të përballojë në këtë mënyrë gjysmën e shpenzimeve për ndërtimin dhe mbajtjen deri tani në punë të pajisjeve të gardhit në kufirin jugor të Hungarisë, kërkoi ministri i kabinetit të Orbanit.
 
“Ne nuk kemi parë e as që presim që BE të tregojë solidaritet në këtë punë që kemi ndërrmarë , ose të ndajë shpenzimet me ne që aktualisht po mbulohen  nga xhepat e taksapaguesve hungarezë. Ne presim që Komisioni Europian dhe BE, të ndajë para për këtë mbrojtje efektive. HUngaria po tregon solidaritet me europën në formën më të rëndësishme, përmes ligjeve që duhet të aplikohen tek të gjitha vendet anëtare në mënyrë që të ndalojmë kalimet masive ilegale përmes kufijve të Bashkimit Europian”, shprehet përfaqësuesi i qeverisë së Hungarisë, Zoltan Kovacs.
 
Në vitin 2015, përmes Hungarisë në Evropë arritën më shumë se 400.000 refugjatë. Pas kësaj, Hungaria ngriti një gardh të forcuar me tela me gjemba në kufi me Serbinë që më vonë u zgjat deri në kufi me Kroacinë. 3000 kufitarë ruajnë gardhin aktualisht .
 
Gardhi hungarez kontribuoi në mbylljen e të ashtuquajturit itinerar ballkanik, përmes të cilit erdhën në Gjermani shumë refugjatë. BE e ka kritikuar ashpër këtë fortifikim të kufirit. Por Orban migrimin e quajti si  “kalë Troje për terrorizmin”.
 
AMIR DURAKU