MAQEDONI
Prezantohet projekti për ujësjellësin në Gostivar
12.06.2014 19:10
Në Komunën e Gostivarit, para qytetarëve të interesuar, u prezantuan sot aktivitetet që janë realizuar...
Në Komunën e Gostivarit, para qytetarëve të interesuar, u prezantuan sot aktivitetet që janë realizuar dhe që pritet të realizohen për “Projektin për furnizim me ujë në komunën e Gostivarit”.
Para të pranishmëve folën kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta, drejtori i ndërmarrjes publike “Komunalec”, Memedali Xhaferi dhe Michael Dalin, konsulent në kompaninë zvicerane “SGI Ingenierie”.
Kryetari i Gostivarit, Nevzat Bejta, falënderoi në emër të qytetarëve të Komunës së Gostivarit, popullin dhe qeverinë zvicerane për mjetet financiare që i kanë ndarë për përmirësimin e sistemit për furnizim me ujë të qytetit të Gostivarit.
Projekti për furnizim me ujë të Komunës së Gostivarit ka vlerë 2.4 milion franga zvicerane, financohet nga Departamenti Federal Zviceran për Çështje Ekonomike dhe nga Komuna e Gostivarit.
Kohëzgjatja e projektit është 21 muaj, ka filluar të realizohet nga shtatori i vitit 2013 dhe do të përfundojë në maj të vitit 2015.
Ky projekt implementohet nga kompania zvicerane “SDI Ingenierie”, në bashkëpunim me Komunën e Gostivarit dhe ndërmarrjen publike “Komunalec”.
LULZIM HAZIRI
