Besimtarët festojnë Bajramin e Kurbanit, Zaevi dhe Xhaferi i bashkohen faljes në Shkup

01.09.2017 16:06

Besimtarët myslimanë të Maqedonisë që në orët e hershme të mëngjesit vërshuan xhamitë për të falur Kurban Bajramin...

Besimtarët myslimanë të Maqedonisë që në orët e hershme të mëngjesit vërshuan xhamitë për të falur Kurban Bajramin.

Manifestimi qendror u mbajt në xhaminë Mustafa Pasha në Shkup, ku përveç numrit të madh të besimtarëve, të pranishëm ishin edhe kryeministri, Zoran Zaev, dhe kryeparlamentari, Talat Xhaferi. Në hytben e Bajramit, të cilën në emër të kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë e lexoi një nxënës i medresesë "Isa Beu" në Shkup, theksi u vendos te paqja dhe harmonia në këtë ditë festive.

Ju ftoj t'i gëzoheni kësaj feste, kësaj dite e cila shënon vullnetin dhe gatishmërinë tonë për të sakrifikuar në emër të krijuesit tonë, Allahut fuqiplotë”,- theksoi nxënësi i Medresesë “Isa Beu” – Shkup, Rijad Kalisi.

Kryeministri, Zoran Zaev, i pranishëm në xhaminë qendrore në Shkup, uroi besimtarët myslimanë me shpresën që festat e tilla të na gjejnë të gjithëve të bashkuar dhe kështu të bashkuar të ndërtojmë ardhmërinë e përbashkët për të gjithë në Maqedoni.

“Kurban Bajramit, si një festë e solidaritetit, familjes dhe ndihmës së ndërsjellë, këto janë veçoritë që e bëjnë këtë festë të madhe. Duke respektuar këtë festë, unë jam sot këtu bashkë me ju, që ta festojmë dhe ta shpërndajmë më tej madhështinë e kësaj feste”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.

Besimtarët i uroi edhe kryeparlamentari Xhaferi.

“Në emër të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, ia uroi të gjithë besimtarëve myslimanë festën e Kurban Bajramin, duke shpresuar se edhe Bajrami i ardhshëm do t'i gjejë të bashkuar në rrugën e drejtë dhe në rrugën e Zotit”,- u shpreh kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi.

Më pas, festa vazhdoi nëpër shtëpitë e besimtarëve, ku sipas traditave shkëmbehen vizita me urimet për një jetë më të mirë. Bajrami i Kurbanit apo Festa e Flijimit, sipas traditës islame, nderon gatishmërinë e Ibrahimit të flijojë djalin e tij si vepër e nënshtrimit ndaj urdhrit të Zotit, para se Zoti të ndërhyjë përmes engjëllit të tij, Xhebrailit, dhe të njoftojë Ibrahimin se flijimi i është pranuar tashmë.

Mishi nga kafsha e flijuar ndahet në tre pjesë. Familja mban një të tretën, një e treta tjetër jepet për të afërmit, shokët dhe fqinjët, ndërsa një e treta e mbetur i ndahet të varfërve dhe nevojtarëve. (Adnan Hajdari, TVM2)