Takimet e eurodeputetëve, Ahmeti: BDI, e angazhuar për zgjedhje të guximshme
Kanë vazhduar takimet e eurodeputetëve me krerët e politikës në Maqedoni....

Kanë vazhduar takimet e eurodeputetëve me krerët e politikës në Maqedoni. Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, e vlerësoi si takim tepër të rëndësishëm dhe produktiv. Ai është shprehur i gatshëm që të vazhdojë të punojë drejt zbatimit të reformave dhe afrimit të vendit me Bashkimin Europian.
“Sigurova zotin Kukan dhe Vajgëll, se unë dhe Bashkimi Demokratik për Integrim tërësisht mbetemi të angazhuar në drejtim të reformave, në drejtim të zgjidhjes së problemeve që kërkojnë zgjidhje, siç është çështja e emrit, siç janë çështjet e tjera që kërkojnë zgjidhje me vendet fqinje. Gjithashtu, guximshëm do të kërkojmë dhe do të punojmë në drejtim të reformave, si në gjyqësi ashtu edhe në fusha tjera. Do të jemi pa kompromis në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, si vlera jo vetëm që i kërkon Europa, por vlera që e begatojnë e pasurojnë, e rrisin dinjitetin dhe na forcojnë dhe pasurojnë identitetin tonë si shtet, si komb pranë Europës”,- deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
TAKIMET E EURODEPUTETËVE, TUNTEVI: KUVENDI, NË SHËRBIM TË QYTETARËVE
Eurodeputetët janë takuar edhe me kreun e LSDM-së, Zaevin, dhe kreun e grupit parlamentar të socialdemokratëve. Zaevi në takim potencoi që periudha e deritanishme duket pozitive ndaj politikës ndërkombëtare dhe përmirësimit të marrëdhënieve të Republikës së Maqedonisë me fqinjët. Në të njëjtën vijë ishte edhe takimi me Tuntevin.
“Përsërita angazhimin tonë se puna në këtë parlament duhet të jetë ekskluzivisht në interes të qytetarëve të RM-së, të ndihmojmë në zhbllokimin e proceseve që janë bllokuar e që nuk guxojnë të jenë të bllokuara, si dhe do të shfrytëzojmë përvojat tona nga puna e Parlamentit Europian, që të bëjmë progres në kuadër të mundësive për tërheqjen e obstruksioneve të punës së parlamentit”,- u shpreh Tomisllav Tuntev nga LSDM.
Eurodeputetët u takuan edhe me kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Selën, ndërsa një ditë më parë zhvilluan takime edhe me kryeparlamentarin Xhaferi, kreun e VMRO-së, Nikolla Gruevskin, dhe atë të PDSh-së, Menduh Thaçin. (Ersan Pajaziti, TVM2)
