Beogradi rikthen ambasadoren në Shkup, Divjka Tomiq takon kryeministrin Zaev

01.09.2017 17:12

Pas rikthimit në Shkup, ambasadorja serbe, Dushanka Divjak – Tomiq...

Pas rikthimit në Shkup, ambasadorja serbe, Dushanka Divjak – Tomiq, ka takuar kryeministrin, Zoran Zaev. Siç njoftojnë nga qeveria, në takim bashkërisht është konstatuar se ekziston miqësi e sinqertë mes dy vendeve dhe ekziston bazë e mirë për thellimin e marrëdhënieve.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë është përcaktuar të zhvillojë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe nëpërmjet rolit proaktiv në bashkëpunimin rajonal të kontribuojë për perspektivën euro-atlantike të të gjithë rajonit. Republika e Serbisë është mike tradicionale e Republikës së Maqedonisë dhe jemi të orientuar vetëm drejt marrëdhënieve pozitive që do të kontribuojnë edhe në marrëdhëniet dypalëshe dhe në planin rajonal”,- citohet të ketë deklaruar Zaevi. Edhe ambasadorja serbe ka folur për atmosferë konstruktive mes dy vendeve.

“Unë po transmetoj një atmosferë pozitive dhe konstruktive nga Serbia për bashkëpunimin e mëtejmë. Njëherit bartim edhe falënderim për përkrahjen e Qeverisë së Maqedonisë, që Selia e Bashkësisë së Transportit të jetë në Beograd. Ajo se sekretari gjeneral i Bashkësisë së Transportit është nga Republika e Maqedonisë është vetëm dëshmi e përcaktimit nga të dyja palët për nxitjen dhe zhvillimin e marrëdhënieve tona miqësore”,- ka theksuar ambasadorja serbe në Shkup. Por, vetëm para një jave deklaratat nga Beogradi nuk ishin me tone kaq të buta, pasi autoritetet serbe vendosën të tërheqin tërë personelin e Ambasadës në Beograd dhe kritikuan autoritetet në Maqedoni për qëndrime kundër interesave të Serbisë, përfshi edhe dyshimet se Maqedonia mund të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në UNESKO edhe pse kjo e fundit nuk ka aplikuar për anëtarësim. (Kaltrina Maksuti, TVM2)