Zjarri në Zajaz, shuhen vatrat aktive, rreziku mbetet ende
Zjarri që ka shpërthyer në ditën e djeshme mbi fshatin Drogomisht....

Zjarri që ka shpërthyer në ditën e djeshme mbi fshatin Drogomisht i madh me një shpejtësi marramendëse, është zgjeruar në drejtim të vendbanimeve Alaj dhe Zajaz Çelikaj, ndërsa në orët e mbrëmjes flakët e zjarrit arritën deri në afërsi të rrugës magjistrale, duke rrezikuar kështu edhe shtëpitë e banimit.
Në shuarjen e zjarrit u angazhuan ekipet e njësisë territoriale të zjarrfikës, ato të ndërmarrjes që menaxhon me pyjet, pjesëtarë të ARM-së si dhe banorët vendorë, por për shkak të terrenit të vështirë ka qenë i pa mundur lokalizimi i zjarrit, i cili gjatë natës dogji hapësira të mëdha të mbjella kryesisht me pisha dhe drunj lisor, nga Drogomishti i madh e deri në fshatin Zajaz Çelikaj.
Nadica Voçkova, zëdhënëse e Qendrës për Menaxhim me kriza në Kërçovë njofton se furia e zjarrit ka qenë e tmerrshme dhe pas angazhimit maksimal të ekipeve dhe makinerive për shuarjen e zjarreve, sot rreth orës 11:00 intensiteti i zjarrit është ulur dukshëm dhe vatrat e zjarrit janë vënë nën kontroll, por ekziston akoma rreziku i riaktivizimit të tyre.
Ajo shton se pasojat e këtyre zjarreve në tre lokacionet e ish-komunës së Zajazit janë të mëdha, ndonëse vlerësimi i saktë i dëmeve do të bëhet nga ekspertët e kësaj lëmie.
Një ditë më parë, flakët e zjarrit kanë shkaktuar dëme të mëdha edhe në pjesën malore të fshatit Zajaz Xhuma. Kjo vatër zjarri u lokalizua falë intervenimit të avionëve dhe banorëve të këtij fshati. (Shabani Dalipi, TVM2)
