Botë

Lavrov: Tensionet SHBA-Rusi, faji i Obamas

02.09.2017 14:15

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka deklaruar se vendi i tij “do t’u përgjigjet ashpër veprimeve që e dëmtojnë"...

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka deklaruar se vendi i tij “do t’u përgjigjet ashpër veprimeve që e dëmtojnë”, duke iu referuar sanksioneve të reja të urdhëruara nga Shtetet e Bashkuara.
 
Rusisë i është kërkuar të mbyllë konsullatën e saj në San Francisco, si dhe përfaqësitë diplomatike në Nju Jork dhe Uashington. 
 
Lëvizja e fundit e Amerikës erdhi pas reduktimit nga Moska të stafit diplomatik amerikan në Rusi, me plot 755 persona në muajin korrik.
 
Por, Lavrov fajëson administratën “Obama” për nisjen e mosmarrëveshjeve diplomatike dhjetorin e vitit të kaluar. Ish-presidenti amerikan përjashtoi 35 diplomatë rusë, si dhe mbylli dy përfaqësi ruse, për shkak të aneksimit nga Moska të Gadishullit të Krimesë nga Ukraina, por edhe për ndërhyrjen e pretenduar ruse në zgjedhjet amerikane.
 
“Gjithçka nisi saktësisht me qëllimin për të minuar marrëdhëniet ruso-amerikane dhe për të penguar Trumpin të bëjë propozime konstruktive gjatë presidencës së tij”, tha Lavrov. 
 
“U bë për t’ia bërë atij sa më të vështirë të ishte e mundshme të implementonte premtimet e tij zgjedhore për normalizimin e marrëdhënieve me Rusinë”, vijoi ai.
 
Lavrov shtoi se Rusia është ende duke konsideruar kundërpërgjigjen e saj ndaj sanksioneve të fundit. 
 
“Do të reagojmë sapo të përfundojmë analizat tona”, deklaroi ai.