Botë
Harvey, tym dhe flakë në një fabrikë kimike në Teksas
02.09.2017 17:55
Situatë alarmi në Teksas, pasi një shtëllungë e gjatë tymi dhe flake doli nga një fabrikë kimike në Crosby, zonë e goditur nga stuhia Harvey...

Aktualisht, autoritetet nuk kanë dhënë asnjë gjendje emergjence ose urdhër për evakuim, por ka shqetësime se reja e tymit mund të ketë përbërje toksike. Në rajonin e shkatërruar të stuhisë, ka shumë impiante kimike dhe nafte, të cilat paraqesin rrezik.
Ndërkohë Houston, një çerek milje larg nga Crosby, duket gjithnjë e më shumë si një qytet fantazmë. Kryebashkiaku shpjegon se në dy zona, lindje dhe perëndim të qytetit, “problemet e përmbytjeve janë të mëdha” dhe ekipet emergjente vazhdojnë të shpëtojnë njerëzit. Pas furisë së uraganit Harvey në qytetet e Teksasit dielli është kthyer, por shkatërrimi është prezent me rrugë të boshatisura, sheshe të përmbytur, mbeturina të grumbulluara jashtë shtëpive. Presidenti Donald Trump ka ftuar popullin amerikan në një ditë lutje në nder të viktimave të dielën.
Në Teksas dhe Luiziana, ujërat janë tërhequr në disa zona të prekura nga stuhia, ndërsa disa zona janë të përmbytura. Numri i të vdekurve ka shkuar në 47, 72 mijë njerëz janë shpëtuar, 136 mijë struktura janë përmbytur dhe dëmi arrin në mbi 100 miliardë dollarë. Kërkimet derë më derë vazhdojnë për të identifikuar ata që mungojnë. Po për Shtetet e Bashkuara nuk ka qetësi. Tashmë duhet të mendojnë dhe për një kërcënim të ri, Uragani Irma që vjen në afërsi të Karaibeve që paralajmëron përmbytje të reja, këtë herë në bregun lindor.
