Botë
Vuçiç: Nuk ndryshon formati i bisedimeve me Kosovën
02.09.2017 19:03
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se Beogradi nuk ka ndërmend të ndryshojë...

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se Beogradi nuk ka ndërmend të ndryshojë formatin e bisedimeve në dialogun mes Kosovës e Serbisë, ku Bashkimi Europian luan rolin e ndërmjetësuesit.
Por nëse ndodhin ndryshime, atëherë Vuçiç thotë se në dialogun mes palëve do të duhet të përfshihen të gjitha fuqitë botërore. Mediat kishin spekuluar për mundësinë e përfshirjes së të tjerë lojtarëve në bisedimet mes Beogradit e Prishtinës.
“Është gjithnjë mirë të kemi konsultime me amerikanët, gjermanët, rusët, kinezët. Çështjet e rëndësishme të konflikteve të ngrira nuk mund të zgjidhen pa dijeninë e aktorëve të rëndësishëm, por aktualisht Bashkimi Europian është drejtpërdrejtë i përfshirë në dialog,” u shpreh presidenti Vuçiç në një konferencë për shtyp.
Prishtina dhe Beogradi janë në një dialog të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian për normalizimin e marrëdhënieve mes palëve, për promovimin e paqes dhe për arritjen e progresit në rrugën drejt integrimit europian. Përfaqësuesja e Lartë e Çështjeve të Jashtme dhe Politikave të Sigurisë si dhe zv/presidentja e Komisionit Europian, Federica Mogherini lajmëroi se ajo personalisht do të ndërmjetësonte këtë dialog të nivelit të lartë, me mbështetjen e të gjitha shteteve anëtare.
