Maqedoni, sot fillon viti shkollor

04.09.2017 09:24

Mbi 20.000 nxënës të klasës së parë do të ulen në bankat shkollore....

Mbi 20.000 nxënës të klasës së parë do të ulen në bankat shkollore në vitin e ri shkollor 2017/2018, i cili me vendim të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në vend të fillimit tradicional më 1 shtator, do të fillojë më 4 shtator.

Sipas të dhënave të MASH, numri i nxënësve të regjistruar në klasën e parë është 20.437.Në Shkup prej gjithsej 10 komunave deri tani janë paraqitur 6.159 nxënës në klasën e parë.Në shkollat e mesme janë regjistruar gjithsej 17.131 nxënës.

Në të dy afatet e regjistrimit në shkollat e mesme të Shkupit janë regjistruar 6.496 nxënës, ndërsa në komunat e tjera numri i të regjistruarave është 10.635.

Interes më të madh ka pasur për arsim profesional ku janë regjistruar 9.983 nxënës, ndërsa për arsim gjimnazi kanë vendosur 6.703. Në gjimnazet e Shkupit janë regjistruar 2.768, ndërsa në shkollat profesionale 3.407 nxënës.

Në shkollat artistike janë regjistruar gjithsej 224 nxënës, prej të cilëve në Shkup 148, ndërsa në gjimnazin e sportit 221 nxënës, prej të cilëve në Shkup 173.

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës theksojnë se numri përfundimtar i nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme do të dihet nga mesi i shtatorit pas kompletimit të të dhënave në koordinim me komunat.