Manovra ushtarake në Korenë e Jugut
Ushtria koreano-jugore simuloi një sulm të armatosur në zonën e testimit....

Ushtria koreano-jugore simuloi një sulm të armatosur në zonën e testimit të fundit nuklear të fqinjit problematik verior, ku përfshihej lëshimi i raketave balistike tokë-tokë dhe goditja e objektivave jashtë bregut lindor të Koresë së Jugut nga avionë luftarakë F15K.
Në stërvitje u përdorën municione të vërteta. Qëllimi ishte të tregohej se vendi mbetet në gjendje gadishmërie të lartë, ndërsa arsyeja përse u përdorën armë konvencionale është se Koreja e Jugut nuk ka kapacitet bërthamor.
Seuli dhe Uashingtoni kanë rënë dakord në parim të rishikojnë rregullat ekzistuese me qëllimin që Jugu të mund ta dyfishojë kapacitetin maksimal bartës të raketave të tij balistike.
Stërvitja tregon, sipas zëdhënësit të ushtrisë koreano-jugore, vendosmërinë e saj për të shkatërruar jo vetëm origjinën e provokimit, por edhe lidershipin e armikut dhe forcave mbështetëse të tij nëse kërcënojnë sigurinë e qytetarëve.
Manovrat vijnë disa orë pasi Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis paralajmëroi se çdo kërcënim ndaj Shteteve të Bashkuara apo aleatëve të tyre do të ketë në këmbim një përgjigje masive ushtarake.
Komentet e shefit të Pentagonit erdhën pas takimit të tij me Donald Trump dhe kreun e ekipit të Shtëpisë së Bardhë.
