Emrat e shkollave, Deskoska: Arsimi ka prioritete më të mëdha

04.09.2017 12:29

Ministria e Arsimit ende nuk ka arritur të diskutojë për emrat e shkollave në Çair...

Ministria e Arsimit ende nuk ka arritur të diskutojë për emrat e shkollave në Çair. Ministrja Deskoska thotë se arsimi ka shumë probleme prioritare të trashëguara dhe të gjitha do të diskutohen dhe do të rregullohen sipas prioriteteve.

Deskoska premton se MASh-i do të fokusohet në problemet thelbësore të arsimit që shqetësojnë nxënësit dhe mësimdhënësit, siç janë jo vetëm ndërtimi apo merementimi i shumë shkollave që janë në gjendje të mjerueshme, por edhe programet problematike mësimore.

“Për momentin ky problem nuk po diskutohet për shkakun se kam trashëguar një numër të madh problemesh. Ka shkolla që po rrëzohen, ka shkolla që janë lënë anash jo vetëm nga Ministria por edhe nga papërgjegjësia e kryetarëve të komunave, sepse për disa shkolla kryetarët e komunave nuk e kanë rregulluar dokumentacionin që të mundësohen punët ndërtimore. Shkollat janë në kuadër të komunave, por për fat të keq nuk kanë qenë prioritet për të njëjtët. Kemi edhe programe mësimore problematike që kërkojnë ndërhyrje urgjente”,- deklaroi ministrja e Arsimit Dhe Shkencës, Renata Deskoska.