Filloi viti i ri shkollor, nxënësit e klasave të para shprehen të lumtur, Agushi: Sh. F. “Ismail Qemali”, probleme me hapësirën dhe emrin
Nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në Maqedoni sot filluan vitin e ri shkollor 2017/2018....

Nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në Maqedoni sot filluan vitin e ri shkollor 2017/2018.
Zilja e parë sot ra edhe për mbi 20.000 nxënës të klasës së parë. Ata ishin edhe më të lumturit dhe para kamerës tonë premtuan se do të jenë nxënës të shkëlqyer.
Për sukses gjatë këtij viti shkollor angazhohet edhe udhëheqësia e Shkollës Fillore “Ismail Qemali” e Çairit, por drejtori, Kadri Agushi, potencon se kjo shkollë përballet edhe me problemin e hapësirës dhe emrin e shkollës, pasi ende zyrtarisht udhëhiqet me emrin Rajko Zhinzifov. “
"Sivjet kemi 1440 nxënës, të cilët janë shumë për këtë shkollë, që ka vetëm 20 klasa normale ku duhet të zhvillohet mësimi, 5 klasa ne i kemi improvizuar, e kemi nda kuzhinën në dy pjesë apo e kemi bërë ballkonin klasë... Është e mjaftueshme për 700 deri në 800 nxënës. Problem paraqet edhe ndërrimi i emrit të shkollës, për çka nuk ka ndonjë lëvizje deri tash. Kemi bërë disa lëvizje, por nuk kemi pasur sukses, shpresojmë se tash do të kemi sukses, që e presin edhe arsimtarët, edhe nxënësit, edhe prindërit të cilët e kanë iniciuar një gjë të tillë”,- deklaroi drejtori i Sh. F. “Ismail Qemali” – Çair, Kadri Agushi.
Këtë problem e theksojnë edhe arsimtarët e kësaj shkolle, duke potencuar se mungesa e hapësirave ka bërë që numri i nxënësve në klasa të arrijë deri në 38 nxënës.
“Kemi numër shumë të madh të nxënësve, kemi 38 nxënës në klasë. Përndryshe, kushtet janë me ndihmën edhe të prindërve, i kemi bërë kushtet që edhe të fillojmë”,- theksoi mësuesja në Sh. F. “Ismail Qemali” - Çair, Florije Qorolli.
DESKOSKA: ARSIMI, PRIORITET MË I MËDHA SE EMRAT E SHKOLLAVE
Ministrja e Arsimit, Renata Deskoska, pranon se arsimi po përballet me shumë probleme prioritare të trashëguara dhe të gjitha do të diskutohen dhe do të rregullohen sipas prioriteteve. Prandaj ajo thotë se ende kjo ministri nuk ka arritur të diskutojë për emrat e shkollave në Çair.
Deskoska premton se MASh-i do të fokusohet në problemet thelbësore të arsimit, që i shqetësojnë nxënësit dhe mësimdhënësit, siç janë jo vetëm ndërtimi apo meremetimi i shumë shkollave që janë në gjendje të mjerueshme, por edhe programet problematike mësimore.
“Për momentin ky problem nuk po diskutohet për shkakun se kemi trashëguar një numër të madh problemesh. Ka shkolla që po rrëzohen, ka shkolla që janë lënë anash jo vetëm nga Ministria por edhe nga papërgjegjësia e kryetarëve të komunave, sepse për disa shkolla kryetarët e komunave nuk e kanë rregulluar dokumentacionin që të mundësohen punët ndërtimore. Shkollat janë në kuadër të komunave, por për fat të keq nuk kanë qenë prioritet për të njëjtit”,- u shpreh ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Renata Deskoska-Treneska.
Ministrja Deskoska theksoi edhe problemin me programet mësimore të cilat, siç tha ajo, kërkojnë ndërhyrje urgjente. (Gyltene Sinani, TVM2)
