Maqedonia
Dështojnë negociatat midis APSh-së dhe “Besës”, nuk përjashtojnë bashkëpunimin në rrethin e dytë
04.09.2017 16:21
Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja “Besa” do të garojnë me kandidatët e tyre në zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen më 15 tetor të këtij viti...

Këtë e konfirmuan vetë këto dy subjekte pasi që kanë dështuar negociatat disaditore midis tyre. Megjithatë ata nuk kanë përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit në rrethin e dytë të zgjedhjeve.
“Këto ditë janë mbyllur këto negociata dhe sipas të gjitha gjasave ne do të duhet të shkojmë vetë në zgjedhje, por kjo mbetet si vendim të zyrtarizohet në mbledhjen e kryesisë qendrore. Ne jemi të gatshëm që në rrethin e dytë të bashkëpunojmë me këto parti me të cilat kemi biseduar”,- deklaroi Afrim Gashi nga “Besa”.
“Kemi relacione korrekte me Lëvizjen “Besa”. Kemi bërë disa tentativa serioze, megjithatë nuk arritëm një pajtueshmëri që rundin e parë të shkojmë së bashku. Shpresojmë që rrethin e dytë do të kemi një bashkëpunim më konkret”,- theksoi Ilmi Aziri nga Aleanca për Shqiptarët.
Aleanca për Shqiptarët deri më tani ka zyrtarizuar vetëm kandidaturën e Arben Taravarit që do të garojë për qytetin e Gostivarit, ndërsa emrat e tjerë do t’i publikojnë gjatë ditëve në vijim njoftojnë nga kjo parti. Ndërkohë në Lëvizjen “Besa” thonë se ndodhen në fazë të përzgjedhjes së kandidatëve të cilët më pas duhet t’i miratojnë organet qendrore të partisë, por tani për tani nuk deshën të publikojnë emra.
BDI ende nuk i ka finalizuar të gjitha komunat. Dihet tashmë kush do të garojë për disa prej tyre, në Çair - Visar Ganiu, në Kërçovë - Fatmir Dehari, Fehmi Jonuzi në Studeniçan dhe Blerim Bexheti në Saraj.
PDSh ka zyrtarizuar kandidaturën e Azem Sadikut për komunën e Studeniçanit dhe Bardhyl Destanin si kandidat për kryetar të komunës së Likovës. Melikije Halimi është kandidatja zyrtare e LSDM-së që pretendon të drejtojë komunën e Haraçinës. Kjo parti ka zyrtarizuar kandidatë në Gjorçe Petrov, Ohër, Aerodrom, Butel, Gazi Babë dhe në Strumicë, ndërkohë VMRO DPMNE-ja ka zyrtarizuar kandidatët në Kumanovë dhe Strumicë.
NAIM RAMADANI
