Përvjetori i shenjtërimit, bojë e zezë mbi portretin e Nënë Terezës
Mëngjesin e 4 shtatorit, përvjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës...

Mëngjesin e 4 shtatorit, përvjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës qyteti i lindjes do të duhej ta përkujtonte si rëndom, të paktën edhe me një buqet lulesh.
Por, Shkupi kësaj radhe i dhuroi ngjyrë të zezë mbi portretin e saj në muralen e vendosur vetëm pak ditë më parë në sheshin Skënderbeu.
Edhe pse e vetmja figurë nga Shkupi që i prin murales së personaliteteve më të njohura të historisë, në rrethana dhe motive ende të panjohura, por dukshëm të qëllimshme, sot shihet e përlyer në ngjyrë të zezë.
Qytetarët e anketuar nga MTV2 thonë se ky gjest është shumë i shëmtuar dhe Nënë Tereza para së gjithash duhet respektuar si një figurë kombëtare.
“Gjest i shëmtuar për mua është kjo. Gabimisht është kjo, nuk duhet, dihet Nënë Tereza kush është dhe nuk duhet dëmtuar. Si Nëna Terezë nuk flas në kuptim të fesë, por duhet të respektuar si një figurë shqiptare”,- u shpreh një qytetare.
“Unë jam amerikan ka 50 vite, tani e shikoj dhe më dhimbset, e pse Nëna Terezë kjo është bërë prej maqedonasve të krishterë, është akt i shëmtuar shumë, skam fjalor shqip, është shumë e dëmshme për një karakter”,- theksoi një qytetar.
“Ka institucione që merren me ta”,- potencoi një qytetar.
Nga komuna e Çairit dënojnë aktin dhe presin intervenimin e institucioneve përkatëse. Sipas zëdhënësit Alla, vetëdija kombëtare duhet ngritur dhe paragjykimet e çfarëdo baze duhet çrrënjosur.
“Dëmtimi i mozaikut është një akt i turpshëm i cili duhet të dënohet ashpër, institucionet përkatëse duhet t’i ndërmarrin të gjitha masat për identifikimin e fajtorëve, duhet njëherë e përgjithmonë të rrisim vetëdijen kombëtare që mozaikët e këtilla, por edhe të gjitha ato monumente kulturore dhe historike, t’i respektojmë pak më shumë. Mendoj se mund të ketë ndonjë paragjykim, sepse paragjykimet janë pjesë e jetës tonë të përditshme dhe ato duhet t’i çrrënjosim njëherë e përgjithmonë duke potencuar se të gjithë jemi shqiptarë pa dallim feje”,- theksoi zëdhënësi i komunës së Çairit, Kushtrim Alla.
Pas neglizhencës institucionale të vazhdueshme që i bëhet figurës së Nënë Terezës, me mungesën e shënimeve dinjitoze të datave të rëndësishme të biografisë së saj, ngjyra e zezë mbi imazhin e saj është denigrimi i radhës që bëhet në vendlindjen e saj. (Arlinda Baftiu, TVM2)
