Dhuna në Kuvend, Prokuroria asnjë ftesë për deputetët e VMRO-së
Prokuroria për Krim të Organizuar ende nuk ka dërguar asnjë ftesë për të marrë në pyetje deputetët e VMRO-së...

Prokuroria për Krim të Organizuar ende nuk ka dërguar asnjë ftesë për të marrë në pyetje deputetët e VMRO-së, Kërsto Mukoskin dhe Sashe Vasilevskin, të cilët duken në të gjitha pamjet filmike të 27 prillit se si i hapin dyert e kuvendit duke lejuar turmën e njerëzve të hyjë brenda.
Hetimet janë në rrjedhë, jemi në fazën e grumbullimit të provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve, fazë kjo ku është angazhuar edhe MPB, thonë nga kjo prokurori.
Pas selektimit të provave do të dihet qartë se cilat lëndë duhen hetuar nga ana e Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe cilat nga Prokuroria Publike, thonë nga Prokuroria për Krim të Organizuar.
Nga kjo prokurori ende nuk kanë një afat të qartë se kur do të thirren deputetët e VMRO-së për të dëshmuar, por edhe të tjerë të involvuar në dhunën në Kuvend. Nuk ka përfunduar ndërkohë as hetimi rreth sulmit ndaj kreut të LR-PDSh-së, Zijadin Selës.
Dy të dyshuarit për tentim vrasje janë në paraburgim në burgun e Shutkës.
