Maqedonia

Bojkotohet mësimi në Sh. F. “Pashko Vasa” - Cerovë, prindërit thonë se mungojnë kushtet

04.09.2017 17:36

Viti i ri shkollor nuk filloi për nxënësit e fshatit Cerovë të Tetovës....

Me vendim të prindërve dhe bashkësisë vendore, nxënësit bojkotuan procesin mësimor për shkak të kushteve të vështira në të cilat gjendet Shkolla fillore periferike “Pashko Vasa”.
 
Prindërit kërkojnë nga autoritet lokale dhe shtetërore krijimin e kushteve mësimore si kusht për kthimin e nxënësve në bankat shkollore. Nga Bashkësia Lokale theksojnë se janë ndarë të holla për renovimin e shkollës, por që të njëjtat nuk kanë përfunduar për atë qëllim. Ata njëherit kërkojnë kthimin e një arsimtari nga Merova në fshatin e tyre pasi ai është nga ky fshat.
 
“Të hollat janë dhënë, por puna nuk është kryer. Çështja tjetër është se bëhet fjalë për një arsimtar të fshatit Cerovë, që është me mësim në fshatin Merovë, kemi dëshirë që ai arsimtar të na kthehet prapë në shkollën tonë. Kanalizimi i fshatit që duam ta lidhim prej fshatit, të lidhet me kanalizimin e shkollës fillore”,- u shpreh Arif Tahiri.
 
“Kjo shkollë duhet të ndërtohet e re, këtu nuk ka kushte, këtu është 9 vjeçarja dhe këto kushte duhet të merren parasysh. Rruga përpjetë nuk është e lëvizshme me vetura, i lënë veturat në qendër, te xhamia, dhe vijnë në këmbë dhe këtë realizim e kërkojmë prej komunës e shtetit. Renovimi i kësaj shupe është bërë me dhjetë tulla, ndërsa të hollat nuk janë askund”,- u shpreh një qytetar.
 
Por, drejtori i shkollës thotë se kanë bojkotuar vetëm një pjesë e nxënësve dhe se objekti brenda shkollës i plotëson kushtet për mësim. Sipas drejtorit të shkollës dhe kryetarit të komunës, qëllimi i bojkotit ka prapavijë tjetër, është dëbimi nga puna i mësimdhënësit me përvojë më shumë se 30 vjet nga lënda e historisë dhe punësimin e bashkëfshatarit të tyre nga Cerova. Pas takimit me prindërit është dakorduar që nxënësit nesër të vazhdojnë procesin mësimor, pasi që së shpejti pritet të ndërtohet shkolla e re. 
 
“Këtu është edhe qëllimi i bojkotit, punësimi i një arsimtari të historisë, i cili është i vetmi i diplomuar nga Cerova, kërkon me çdo kusht të jetë i punësuar në shkollën periferike në Cerovë. Personi në fjalë është i punësuar në një shkollë në komunën e Zhelinës, mirëpo kërkon transferim. Duke pasur parasysh se në Cerovë kemi historian që punon më shumë së 33 vite, do të shkon në pension dhe ai punëtor duhet të presë pensionin. E dimë që godina shkollore do një kohë pak më afatgjatë dhe ramë dakord që nesër mësimi të vazhdojë në shkollën periferike me gjendjen reale që e kemi”,- u shpreh drejtori i shkollës, Nedrim Nexhemiu.
 
“Bojkoti i arsimit nga nxënësit ka qenë nga një motiv jokorrekt. Atje punon një arsimtar gati 30 vite dhe dy vite del në pension dhe tash ka një nga Cerova që dy vite ka mbaruar për histori dhe në takimet interne kërkojnë ta largojmë atë nga puna dhe të punësohet ky i Cerovës. Kur ne themi se njeriu punon për 30 vite, thonë nuk na intereson”,- theksoi kryetari i komunës së Zhelinës, Fatmir Izairi. 
 
Nga udhëheqësia e shkollës dhe pushteti lokal theksojnë se në program për vitin e ardhshëm e kanë ndërtimin e objektit të ri të Shkollës “Pashko Vasa” në fshatin Cerovë.
 
FLORIJE BELULI-KAMBERI