Maqedoni
Propozimi për shpallje të emërimit të prokurorit, VMRO: shkarkimi dhe zgjedhja, antiligjore; LSDM: keni moral të dyfishtë
04.09.2017 18:00
Shkarkimi i prokurorit publik, Marko Zvërlevski, nuk e mbylli debatin politik për këtë çështje...

Sipas opozitës së kryesuar nga VMRO-DPMNE, shkarkimi ka qenë joligjor. “I tillë është edhe propozimi për shpallje të emërimit të prokurorit publik”,- thotë deputeti Ilioski.
“Opinionit i kujtohet edhe shkarkimi i jashtëligjshëm i prokurorit publik paraprak, pasi në harmoni me Kodin Zgjedhor neni 8, çdo e nisur pas shpalljes së zgjedhjeve është e jashtëligjshme”,- deklaroi Zoran Ilioski nga VMRO-DPMNE.
Mirëpo shumica parlamentare hedh poshtë pretendimet e opozitës.
Sipas tyre, VMRO ka moral të dyfishtë pasi më 11 janar të vitit 2013 i ka shpallë zgjedhjet lokale, ndërsa më 21 janar të atij viti ka emëruar Marko Zvërlevskin prokuror publik dhe atëherë kjo nuk ka paraqitur problem.
“Pse atëherë nuk keni diskutuar në këtë konotacion?! Atëherë ka mundur, e tani jo. Ky është moral i dyfishtë. Mjaft folëm për këtë çështje, lejoni të jemi më konstruktivë”,- theksoi koordinatori i LSDM-së, Tomisllav Tuntev.
Paraprakisht, Kuvendi hodhi poshtë propozimin e deputetit, Anonio Milloshovski, që kjo pikë të hiqet nga rendi i ditës, si edhe propozimin e deputetit, Dimitar Stevananxhija, që kjo pikë të vendoset si pikë e fundit.
Në seancën e 12, Kuvendi miratoi disa vendime për zgjedhjen e grupeve dhe delegacioneve parlamentare për bashkëpunim.
Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për rrogë minimale dhe Propozim-vendimi për përcaktimin e numrit të nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, janë dy çështje të tjera me interes që pritet të miratohen brenda kësaj seance.
SHPËTIM NUREDINI
