Zaevi takon Netanjahun, Maqedonia dhe Izraeli thellojnë bashkëpunimin
Kryeministri, Zoran Zaev, ndodhet për vizitë në Jerusalem, ku është pritur nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu...

“Maqedonia dhe Izraeli bashkërisht janë në anën e paqes në botë. Do ta intensifikojnë bashkëpunimin në shumë nivele midis të cilave edhe në ekonomi”,- porositën pas takimit të sotëm në Jerusalem kryeministrat e dy vendeve, Zoran Zaev dhe Benjamin Netanjahu.
"Shikojmë së bashku drejt një të ardhme më të mirë. I shqyrtojmë mënyrat dhe fushat ku mund të bashkëpunojmë në interes të njerëzve dhe të vendeve tona. Mësuam nga e kaluara se si ta sigurojmë ardhmërinë. Izraeli është vend i zhvilluar teknologjik dhe do t'i ndihmojë Republikës së Maqedonisë",- deklaroi Netanjahu, i cili shprehu mbështetje për aspiratat euroatlantike të Maqedonisë.
Ndërsa kryeministri Zaev shpreson në bashkëpunim me Izraelin në dy nivele, në siguri dhe paqe botërore.
"Shpresojmë se përmes organizatave siç është NATO-ja, ku synojmë të jemi anëtare, do të vazhdojmë të bashkëpunojmë, sepse kërcënimet nga radikalizmi dhe ekstremizmi janë të pranishme këtu në Izrael dhe në këtë rajon, por gjithashtu edhe për Maqedoninë dhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor",- theksoi Zaevi.
Gjatë kësaj vizite është dakorduar thellim i bashkëpunimit ekonomik përmes vendosjes së programit për përsosmëri teknologjike dhe mbështetje për inovacione. Janë shqyrtuar mundësi, që inxhinierë, matematikanë, sipërmarrës nga Maqedonia të qëndrojnë në Izrael dhe të bashkëpunojmë me start ap firma në teknologjinë e lartë.
Po ashtu u shqyrtua mundësia për linjë të drejtpërdrejtë ajrore në relacionin Shkup-Tel Aviv. Kryeministri Zaev në Izrael është i shoqëruar nga zëvendëskryeministrat, Oliver Spasovski dhe Koço Angjushev, si dhe ministrin e Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, dhe atë të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Lupço Nikollovski.
