DHURO GJAK

"Dhuro gjak për ata që dhurojnë jetë"

13.06.2014 16:27

Motoja ka për qëllim nxitjen e dhurimit të gjakut që të kontribuohet në parandalimin e vdekjes së grave shtatzëna..........

“Kryqi i Kuq” i Maqedonisë, kyçet në fushatën globale për promovimin dhe avancimin e dhurimit të gjakut.

Një ditë para shënimit të “Ditës botërore të dhurimit të gjakut”, 14 qershorit, nën moton "Dhuro gjak për ata që dhurojnë jetë", u organizua një aksion për dhurimin e gjakut në Qendrën Ditore për Dhurim të Gjakut, "Dare Xhambaz".

Motoja ka për qëllim nxitjen e dhurimit të gjakut që të kontribuohet në parandalimin e vdekjes së grave shtatzëna.

“Kjo shfrytëzohet për thirrje deri te të gjithë personat e ri dhe të shëndoshë, të cilët kanë mundësi të dhurojnë dhe mendojnë se duhet dhuruar gjak, të kyçen në armatën e madhe të dhuruesve të gjakut që veç më ekziston në vend”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i “Kryqit të kuq”, Sait Saiti.

“Agjencia për Rini dhe Sport, në mënyrë aktive kyçet në këtë ngjarje, para së gjithash, duke dashur të dërgojë porosi deri te të gjithë të rinjtë në Maqedoni, të jenë sa më human dhe mos të kursejnë veten dhe të japin këtë lëng të çmuar atyre që u është e nevojshme”, theksoi drejtori i Agjencisë për Rini dhe Sport, Marian Spasevski.

“Ne gjithsej në vitin 2013 kemi dhënë 109 mijë komponentë të gjakut për pacientët në nivel republikan. Kjo statistikë tregon se një dhurues i gjakut nuk shpëton vetëm një pacient, por ai ndihmon 2 ose 3 pacient”, potencoi drejtoresha e Institutit për Mjekësi Transfuziologjike, Emilija Vellkova.

Vitin e kaluar, “Kryqi i kuq” ka përmbushur planin e paraparë për 55 mijë njësi të gjakut dhe kështu u janë përgjigjur pozitivisht të gjitha nevojave në sektorin shëndetësor privat dhe publik.

”Deri më tani, kam dhuruar rreth 39 herë gjak edhe atë që nga mosha 18 vjeçe”, u shpreh një dhuruese e gjakut.

“Gjak kam dhënë edhe më herët dhe do të jap përsëri, sepse kjo ka rëndësi shumë të madhe për mua”, tha një tjetër dhuruese e gjakut.

Sipas të dhënave, nga Organizata Botërore e Shëndetësisë çdo vit nga komplikimet prej shtatzënisë vdesin 800 gra. Ndërsa arsyeja më e shpeshtë është gjakderdhja para dhe pas lindjes. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)