Siri, vriten dy ushtarë të Rusisë

05.09.2017 13:16

Dy ushtarë të Rusisë janë vrarë në Siri nga predhat e grupit ekstremist...

Dy ushtarë të Rusisë janë vrarë në Siri nga predhat e grupit ekstremist, “Shteti Islamik”, në provincën lindore, Deir Ezzor, ku ushtria lufton kundër militantëve të këtij grupi, ka njoftuar mbrëmë Ministria e Mbrojtjes e Rusisë.

Në kumtesën e transmetuar nga agjencitë ruse të lajmeve, kjo ministri thekson se një ushtar ishte vrarë menjëherë, ndërsa tjetri kishte vdekur në spital nga plagët e pësuara.

Të dy ushtarët e vrarë ishin duke udhëtuar në kuadër të një konvoji, kur ata ishin qëlluar nga “zjarri i predhave nga terroristët e Shtetit Islamik”,- ka njoftuar Ministria e Mbrojtjes e Rusisë.

Tash, numri i ushtarëve të vrarë të Rusisë në Siri është 34. Dje Rusia njoftoi se po i mbështeste trupat e Sirisë në ofensivën e tyre për marrjen e kontrollit në provincën Deir Ezzor, që është rajoni i fundit në Siri nën kontroll të ekstremistëve të “Shtetit Islamik”.

Në shtator të vitit 2015, Rusia ka intervenuar në luftën civile në Siri në anën e qeverisë së presidentit, Bashar al-Assad.