Fushatë për ndryshimet klimatike në Tearcë
Në Tearcë, sot është mbajtur kampanja lokale për ngritjen e vetëdijes së ndryshimeve klimatike, si dhe ndikimin e tyre te qytetarët............

Në Tearcë, sot është mbajtur kampanja lokale për ngritjen e vetëdijes së ndryshimeve klimatike, si dhe ndikimin e tyre te qytetarët. Kampanjën e implementon projekti i USAID-it për përpilim të strategjive për ndryshimet klimatike dhe është e planifikuar të ketë karakter edukativ për termin “Ndryshime klimatike”.
Në kuadër të këtij evenimenti, është prezantuar metoda e “Agjendës së Gjelbër”, si metodë participative për krijim dhe implementim të strategjisë lokale dhe planeve aksionare në fushat e ndryshme, ku do të implementohet i tërë procesi.
Kryetari i Komunës së Tearcës, Isen Asani, tha se në kuadër të kampanjës, qytetarët do të kenë mundësi të shohin se çka ndodh me ndryshimet klimatike, si dhe me keqpërdorimin e ujit, se sa uji harxhohet nëse nuk bëjmë kujdes në amvisëritë tona.
“Qëllimi i kësaj kampanje është që të ngritet vetëdija te të gjithë qytetarët e Komunës së Tearcës dhe më gjerë, lidhur me ndryshimet klimatike që janë duke ndodhur në hapësirën tonë, kështu që Komuna e Tearcës është duke vazhduar me projektet në bashkëpunim me “Milenium kontakt” dhe USAID-in. Me financim të Komunës, kemi realizuar projektin e parë që kishte të bënte me ndryshimet klimatike, gjegjësisht me energjinë efikase dhe në këtë kontekst janë rezultatet më se evidente, pasi që krahasimet që kemi bërë, kemi benefite nga ndriçimi publik lidhur me kursimin e energjisë elektrike”, deklaroi Kryetari i Komunës së Tearcës, Isen Asani.
Metin Muharemi nga organizata CED, tha se benefitet nga ky projekt do t’i shohin vetë qytetarët.
“Benefitet kryesore të projektit do t’i shohin qytetarët e Komunës së Tearcës, pasi pikërisht ato, përmes pesëdhjetë punëtorive të ndryshme, patën mundësinë përmes “Agjendës së gjelbër” të krijojnë dhe të përpilojnë një strategji, e cila pikërisht del nga ato dhe kjo strategji para dy jave është miratuar nga Këshilli i Komunës së Tearcës edhe si benefite më kryesore është se qytetarët fillojnë ta kuptojnë termin se çka është ndryshim klimatik, mandej fillojnë të kursejnë në familjet e tyre, në vendet ku punojnë, në amvisëri etj”, - u shpreh nga Organizata CED, Metin Muharemi.
Ndërsa Darko Aleksovski nga “Milenium kontakt”, tha se në kuadër të projektit të USAID-it, parashihet që qytetarët të njihen me ndryshimet klimatike dhe sa ata janë të vetëdijshëm për problemet që shfaqen nga këto ndryshime. (Miftar Emini, TVM2)
