Prishtinë, shugurohet katedralja “Nënë Tereza”

05.09.2017 16:13

Katedralja - Shenjtorja Shën Nënë Tereza në Prishtinë.....

Katedralja - Shenjtorja Shën Nënë Tereza në Prishtinë pati sot ceremoninë e shugurimit nga i dërguari i posaçëm i Papa Françeskut, kardinali shqiptar Ernest Simoni – Troshani, i cili mbrëmë ishte i pranishëm edhe në meshën Lutja e Mbrëmësores me Lutjet e Nënë Terezës në Kishën e Shën Ndout në kryeqytetin e Kosovës.

Shugurimi i Katedrales Nënë Tereza përkon me 1 vjetorin e shenjtërimit dhe 20 vjetorit të kalimit në amshim të shenjtëreshës shqiptare.

 “Me Nënë Terezën kanë zbritur engjëjt duke thirrur: ejani vëllezër shqiptarë dhe përmbysuni para Zotit deri në fitoren e madhe, atje ku Krishti ju pret dhe dita më e madhe që vjen është dita kur vjen Krishti”,- tha përfaqësuesi i Vatikanit, Kardinal Ernest Simoni.

“Gonxhe Bojaxhiu është një figurë që e do gjithë bota dhe për ne është një shqiptare e madhe. Për shugurimin e katedrales “Shën Nëna Terezë” ka një interesim të madh nga e mbarë bota. Papa Françesku na ka nderua, sepse për këtë ditë historike ka dërguar një figurë shumë të lartë nga Vatikani, figurë të posaçme, siç është kardinali, Ernest Simoni”,- tha ipeshkvi i Kosovës, Don Lush Gjergji.

Presidenti Thaçi e vlerësoi Shën Terezën si personalitet që ka promovuar vlerat shqiptare në gjithë globin dhe se tradita shekullore shqiptare na e ka trashëguar tolerancën ndërfetare. Ndërkohë, Papa Françesku në këtë datë përkujtimore në profilin e tij zyrtar në Twitter në 9 gjuhë të ndryshme, Shën Terezën shqiptare do ta kujtojë me fjalët: “si Nënë Tereza, le të hapim horizonte gëzimi e shprese për njerëzimin, që ka aq nevojë për sa më shumë mirëkuptim e dashuri”.

Gurthemeli i katedrales në Prishtinë është vënë në 26 gusht 2005 për nder të 95 vjetorit të lindjes së Nënës Terezës nga ana e presidentit, Ibrahim Rugova, ndërsa ndërtimi i saj është bërë i mundur nga donatorët e diasporës shqiptare nëpër botë. Rezultati është një katedrale madhështore në qendër të kryeqytetit të Kosovës, e lartë 32,50 metra, e gjerë 42,30 metra dhe e gjatë 77,40 metra. Mesha përkujtimore janë mbajtur dhe në të gjitha shtëpitë e urdhrit të Nënë Terezës në 130 vende të botës. (Arlinda Baftiu, TVM2)