Çerdhja “Foleja”, kapacitet për 45 fëmijë
Prej të hënës, edhe kopshtet e Çairit kanë filluar punën me dy ndërrime....

Prej të hënës, edhe kopshtet e Çairit kanë filluar punën me dy ndërrime, sipas vendimit të Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale. Çerdhja “Fidani” ka bërë përpjekje për sigurimin e kushteve që të implementohet ky vendim duke siguruar edhe objekt shtesë.
“Kemi angazhim prej objekteve që i kemi pasur edukatoret që janë të angazhuara, veçse janë angazhuar edhe në kopsht, por gjithashtu edhe punësime të reja priten”,- theksoi drejtoresha e Çerdhes “Fidani”- Çair, Rabije Loku.
Për plotësimin e kushteve është kërkuar edhe ndihma e komunës nën kompetenca të së cilës janë çerdhet.
“Ky objekt fillimisht do të financohet nga buxheti i komunës deri në fund të vitit dhe shpresojmë që nga viti i ardhshëm me përqindje që e kemi nga ministria përkatëse të fillojmë edhe financimin nga ministria përkatëse”,- u shpreh sekretari i Komunës në Çair, Rami Qerimi.
Për të përmbushur nevojat e qytetarëve të Çairit për sa më shumë çerdhe bashkëkohore, në kuadër të Çerdhes “Fidani” prej të hënës do të fillojë punë edhe objekti i ri “Foleja”, që pret vetëm përfundimin e disa procedurave në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. (Gyltene Sinani, TVM2)
