Qerimi: Shkupi vlerësim të gabuar të ligjit sa i përket gjuhës
Në tabelat që figurojnë në bulevardet e Qytetit të Shkupit, mund të vërehen mbishkrime në gjuhën maqedonase, por jo edhe në gjuhën shqipe..............

Në tabelat që figurojnë në bulevardet e Qytetit të Shkupit, mund të vërehen mbishkrime në gjuhën maqedonase, por jo edhe në gjuhën shqipe.
Situata bëhet edhe më paradoksale kur vetëm në disa mbishkrime të caktuara në Qytetin e Shkupit, mund të vërehet respektimi i dygjuhësisë. Hapësira interpretuese dhe baza kundërthënëse e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, njëherit vë ndesh edhe kompetencat të cilat shpesh herë ngatërrohen mes komunave që gravitojnë në kuadër të Qytetit të Shkupit dhe vet kryeqendrës si njësi e veçantë territoriale.
Sipas anëtarit të Komisionit për Përdorimin e Gjuhëve pranë Qytetit të Shkupit, Rami Qerimi, problemi paraqitet në interpretimin e Ligjit dhe jo në përmbajtjen e tij.
“Ky problem ka të bëjë me Ligjin për emërtimin e shesheve,urave, rrugëve dhe tërë infrastrukturës në tërë Qytetin e Shkupit. Ekziston Ligj i caktuar për emërtimin e shesheve, rrugëve, urave dhe gjithë objekteve infrastrukturore për Qytetin e Shkupit. Në kuadër të këtij Ligji, për atë edhe është paraqitur ky fenomen dhe në kuadër të këtij Ligji, Administrata e Qytetit të Shkupit po bën gabim të interpretimit të Ligjit”, deklaroi anëtari i Komisionit për Përdorimin e gjuhëve në Shkup, Rami Qerimi.
Ai, njëherit shprehet se Qyteti i Shkupit si njësi e veçantë territoriale, në kuadër të kompetencave të saj, vendimin për respektimin e gjuhës shqipe duhet ta bazon mbi numrin e përgjithshëm të pranisë së shqiptarëve në të gjitha komunat që bëjnë pjesë në Qytetin e Shkupit dhe jo të lejohet që mosprania e 20% të shqiptarëve në disa komuna, të pengon zbatimin e dygjuhësisë.
“Qyteti i Shkupit është një njësi administrative edhe është shumë e qartë në Ligjin për Qytetin e Shkupit dhe Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, d. m. th. është shumë e qartë se aty ku popullata është mbi 20%, vlen përdorimi i gjuhës së atij etniteti, në këtë rast flasim për gjuhën shqipe. D. m. th. në territorin e Qytetit të Shkupit për sa u përket kompetencave që janë në kuadër të Qytetit të Shkupit, sipas mendimit tim, duhet të jetë çdo gjë edhe në gjuhën shqipe”, theksoi Qerimi.
Por, kështu nuk mendon kryetari i Shkupit, Koce Trajanovski, i cili ditë më parë deklaroi se kjo materie nuk është e definuar qartë dhe çështja e gjuhës në ligje të ndryshme, trajtohet në forma të ndryshme.
“Së pari Qyteti i Shkupit nuk e thyen as Kushtetutën e as Ligjin. Ne këtu kemi shërbime profesionale, të cilët punojnë në këtë çështje dhe i interpretojnë ligjet në Qytetin e Shkupit dhe ajo materie nuk është saktë e definuar. Në disa ligje tregohet një formë dhe në disa një formë tjetër. Për këtë arsye është formuar Komision më i gjerë, që do të shqyrtojë implementimin e këtyre ligjeve që e trajtojnë këtë materie”, potencoi kryetari i qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski.
Me iniciativën e Komunës së Çairit, përkatësisht kryetarit Izet Mexhiti, kohë më parë u formua një Komision më i gjerë, i cili ka për obligim të shqyrtojë implementimin e këtyre ligjeve, që trajtojnë këtë çështje. (Zejxhane Osmani, TVM2)
