Maqedoni
Ligji për mediat, Trajçevski: Qesharak dhe në kundërshtim me direktivat e BE-së
05.09.2017 17:02
Kreu i Agjencisë për Shërbime Audio dhe Audiovizuele, Zoran Trajçevski...

Kreu i Agjencisë për Shërbime Audio dhe Audiovizuele, Zoran Trajçevski, e cilëson propozim ligjin qeveritar për mediat si qesharak, joserioz dhe tërësisht në kundërshtim me direktivat europiane.
Tajçevski vlerëson se heqja e taksës radiodifuzive dhe financimi i tërësishëm i RTVM-së është veprim populist, i cili ka për qëllim të rrezikojë pavarësinë financiare të Servisit Publik dhe të Agjencisë për Media. Në përpilimin e draft-versionit të këtij ligji, i cili tashmë ndodhet në Kuvend, nuk janë konsultuar ekspertët e AShAAM-it, thotë Trajçevski, sipas të cilit është logjike që në këtë periudhë të hapet debat publik për këtë ligj.
“Heqja e taksës radiodifuzive dhe financimi i Servisit Publik nga buxheti, është shkatërrim i pavarësisë financiare të RTVM-së dhe të Agjencisë për Shërbime Audio dhe Audiovizuele dhe vendosje nën kontroll të qeverisë. Po të kishte ekzistuar një praktikë e tillë, do të ishte implementuar në shumë vende europiane, por nuk ekziston. Vlerësoj se ky është veprim populist me të cilin për fat të keq edhe pozita edhe opozita dëshirojnë të realizojnë premtimet parazgjedhore”,- tha drejtori i AShAAM-it, Zoran Trajçevski.
Përfaqësuesit e trupave rregullatorë nga rajoni vlerësojnë se pavarësia e mediave nuk varet vetëm nga trupat rregullatorë, por nga vetë mediat.
“Një nga detyrat e agjencisë sonë është të ndihmojmë mediat në shkallë sa më të madhe, që të jenë profesionale dhe të pavarura, por kjo më shumë varet edhe nga mediat. Nuk është e mjaftueshme vetëm trupi rregullator të ndihmojë, por duhet edhe vetë mediat të punojnë në këtë”,- u shpreh Elvira Cekoviq nga Mali i Zi.
“Është me rëndësi të madhe të vazhdojë puna profesionale e trupave rregullatorë të mediave në të gjithë rajonin nëse dëshirojmë të kemi përmbajtje sa më të kontrolluar mediatik. Vetëm kështu mundemi të arrijmë rezultate të mira në fushën mediale”,- tha Marija Stojanova nga Këshilli mediatik i Bullgarisë.
Këto vlerësime u dhanë në konferencën rajonale të organizuar në shënimin e 20 vjetorit të AShAAM-it në Maqedoni, në të cilin morën pjesë përfaqësues nga Kosova, Mali i Zi, Serbia, Bullgaria, Kroacia dhe Sllovenia.
REXHEP QAMILI
