Maqedoni
Sfidat e sigurisë, konferencë rajonale në Ohër
05.09.2017 17:13
Në Ohër u mbajt konferenca e tretë rajonale për siguri “Ballkani ndërmjet perëndimit dhe lindjes: Sfidat e vjetra dhe të reja të sigurisë”...

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, në fjalimin para pjesëmarrësve theksoi se sfidat determinohen nga shumë faktorë. Si kërcënime serioze për paqen dhe sigurinë në rajon ai theksoi krizën e refugjatëve dhe kërcënimin nga terrorizmi.
“Për rajonin, asgjë më e vogël nuk është, as kërcënimi i terrorizmit ndërkombëtar që më shpesh vjen nga i ashtuquajturi “Shteti Islamik”. Ballafaqimi i suksesshëm me të gjitha sfidat është e mundur vetëm përmes bashkëpunimit të plotë të të gjitha shteteve në rajon. Vetëm përmes bashkëpunimit bilateral dhe multilateral mund t’i tejkalojmë keqkuptimet e ndërsjella dhe në të njëjtën kohë t’u përgjigjemi të gjitha sfidave që mund ta rrezikojnë paqen dhe stabilitetin, si në çdo shtet, ashtu edhe në rajon dhe më gjerë”,- deklaroi kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi.
Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, theksoi se procesi i ridefinimit të marrëdhënieve gjeopolitike në botë, i filluar nga fundi i shekullit të kaluar, hyn në periudhë më dinamike.
“Globalizimi, multipolariteti, vlerat civile-kulturore, para së gjithash standardet ligjore-politike, sado që të shikohen si koncepte shoqërore, mund të merren njëkohësisht si parametra përmes të cilave përcaktohen dimensionet apo tendencat e ndërlikuara aktualë gjeopolitikë në hartën botërore. Historia tregon se asnjë prej këtyre ndeshjeve të koncepteve nuk kalon pa turbulenca, kërcënime serioze dhe rreziqe dhe pa kundërshtime të ashpra”,- theksoi ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
Konferencën treditore në Ohër e organizon Institutit për Siguri, Mbrojtje dhe Paqe pranë Fakultetit Filozofik në Shkup dhe Fakultetit për Siguri në Beograd, me pjesëmarrës nga Maqedonia, Britania e Madhe, Italia, Suedia, Danimarka, Hungaria, Turqia, Bullgaria, Sllovenia, Kroacia, Serbia, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina etj.
BESIM ABDULLAI
