Maqedoni
KShZ: 27 kandidatë të pavarur në zgjedhjet e 15 tetorit
05.09.2017 17:26
Në zgjedhjet lokale të 15 tetorit do të garojnë 27 kandidatë të pavarur...

Në zgjedhjet lokale të 15 tetorit do të garojnë 27 kandidatë të pavarur, të cilët kanë mbledhur dhe dorëzuar në KShZ nënshkrimet e nevojshme brenda afatit ligjor, i cili skadoi mesnatën e së hënës. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka pranuar edhe 47 lista të kandidatëve për anëtarë të këshillave të komunave.
“Nënshkrime për lista të kandidatëve për anëtarë të këshillave janë mbledhur në 27 komuna edhe atë në Manastir, Bogdanc, Gjevgjeli, Gradsko, Debarcë, Dojran, Dollnen, Zrnovcë, Kavadar, Karbincë, Kërçovë, Koçan, Krivogashtan, Krushevë, Mavrovë, Rostushë, Makedonski Brod, Mogila, Negotinë, Novac, Ohër, Petrovec, Probishtip, Radovish, Rankovc, Nagpriçan, Çuçer Sandev dhe Shtip”,- deklaroi zëdhënësja e KSHZ-së, Arjeta Xhemaili.
Afati i parashtrimit të listave të kandidatëve për kryetar komune dhe anëtarëve në Këshillin e komunave skadon më 14 shtator në orën 24:00. KShZ përkujton votuesit se shqyrtimi publik në listën zgjedhore do të zgjasë deri më 9 shtator, ndërsa duke filluar nga dita e djeshme, në aplikacionin elektronik të Listës Zgjedhore qytetarët, përveç të të dhënave për vendvotim, mund të kontrollojnë edhe qasjen e vendvotimit.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
