Maqedoni
100 ditët e qeverisë, Zaevi: Premtimet i kthyem në realitet
05.09.2017 17:38
Qeveria përmbushi 100 ditët e para të saj, të cilat kryeministri Zaev i vlerësoi si shumë të suksesshme...

Kreu i ekzekutivit tha se bashkë me zëvendëskryeministrat është angazhuar për t’i kursyer paratë e buxhetit, për të përmirësuar marrëdhëniet me fqinjët, për të bërë reformat e nevojshme sidomos në sistemin gjyqësor dhe për të kthyer shtetin në rrugët drejt integrimeve euroatlantike. Zaevi përmendi në ekspozenë e punës së këtyre 100 ditëve të para edhe Ligjin për gjuhët dhe mbështetjen për zgjedhje korrekte e demokratike.
“Harmonizuam dhe miratuam Ligjin për gjuhët, i cili ka përmbyllur edhe pikën e fundit të mbetur hapur nga implementimi i Marrëveshjes së Ohrit. Qeveria i dha mbështetje konkrete KShZ-së për përforcimin e kapaciteteve për zgjedhjet lokale rreth një procesi korrekt me udhëzime për të gjithë të punësuarit në administratën shtetërore dhe funksionarët se çfarë mund të bëjnë në periudhën parazgjedhore dhe cilat janë pasojat nga shkelja e Kodit Zgjedhor”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
Zaevi tha se qeveria që drejton është e qytetarëve dhe në shërbim të qytetarëve përmendi transparencën me mediat dhe reformat e para të premtuara për realizim pikërisht brenda këtyre 100 ditëve.
“Kjo qeveri prej në fillim është ballafaquar me rrezikun e rebalancit të buxhetit, me të cilin janë ndaluar harxhimet joproduktive duke kursyer shuma të mëdha. Qeveria ka shkurtuar harxhimet për shërbime administrative për qytetarët. Larguam testimin ekstern dhe filluam reformat tjera në arsim. Vazhduam afatin për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje, heqjen e taksës radiodifuzive, kthimin e tarifës së lirë të energjisë. Mediumet kanë qenë të informuara në kohë dhe në mënyrë transparente”,- theksoi Zaevi.
Një pikë e rëndësishme e ekspozesë së kryeministrit ishin edhe marrëdhëniet me fqinjët, por dhe me partnerët ndërkombëtarë.
“Plani 3-6-9 na kthen në rrugën eurointegruese për ta promovuar Maqedoninë si mike e fqinjëve të saj, vend që shkon fuqishëm në rrugën drejt NATO-s dhe BE-së. Të gjithë miqtë tanë ndërkombëtarë na dhanë mbështetje sepse e kuptuan qëllimin tonë, që Maqedonia të konsiderohet si mike e të pranohet rruga e saj drejt NATO-s dhe Be-së”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.
Zaevi thotë se zgjedhjet lokale janë skena e radhës përmes së cilës qeveria do të kthejë besimin e qytetarëve tek institucionet. Një shoqëri të njëjtë për të gjithë qytetarët e ku të rinjtë nuk largohen nga vendi i tyre e qytetarëve u kthehet dinjiteti, tha ai, duke përkujtuar se ekzekutivi është i qytetarëve dhe në shërbim të qytetarëve.
ERSAN PAJAZITI
