Maqedoni
Zgjedhjet lokale, partitë ende diskutojnë kandidaturat
05.09.2017 17:49
Në zgjedhjet vendore të 15 tetorit duket se nuk do të ketë rigrupime apo koalicionime të reja midis subjekteve politike...

Ata në rrethin e parë do të dalin me kandidatët e tyre duke mos përjashtuar bashkëpunimin në rrethin e dytë të zgjedhjeve. BDI deri më tani ka finalizuar vetëm tre kandidatura. Tani për tani dihet se në Çair BDI do të garojë me Visar Ganiun, në Kërçovë me Fatmir Deharin, në Studeniçan me Fehmi Jonuzin, ndërsa vazhdojnë me shqyrtimin e kandidaturave për komunat e tjera.
Aleanca për Shqiptarët në Gostivar do të garojë me Arben Taravarin, ndërsa emrat e tjerë do t’i publikojnë gjatë ditëve në vijim, njoftojnë nga kjo parti e cila tashmë ka dhënë mbështetje për kandidatin e BDI-së në Kërçovë.
Nga Lëvizjen “Besa” thonë se ndodhen në fazë të përzgjedhjes së kandidatëve të cilët më pas duhet t’i miratojnë organet qendrore të partisë, por tani për tani nuk deshën të publikojnë emra.
Kandidatë të tyre për zgjedhjet lokale kanë paralajmëruar edhe RDK-ja e Vesel Memedit dhe “Uniteti” i Gëzim Ostrenit, të cilat tashmë janë ndarë nga koalicioni me partinë e Selës.
Me kandidatë të saj pritet të dalë edhe partia e Thaçit, e cila deri tani ka bërë zyrtare vetëm dy kandidatura, atë të Azem Sadikut në Studeniçan dhe Bardhyl Destanit në Likovë.
LSDM në qytetin e Shkupit do të garojë me Petre Shilegovin, ndërsa publikoi edhe kandidaturat e më shumë se 25 kandidatëve të saj. Në Haraçinë LSDM do të garojë me kandidaten shqiptare, Melikije Halimin. Por, zyrtarë të lartë të LSDM-së kanë paralajmëruar se kandidatë shqiptarë do të ketë edhe në komunat e tjera të mëdha e të vogla ku shqiptarët janë shumicë. Por, emrat e tyre pritet të bëhen publikë këtyre ditëve.
Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE deri më tani i ka bërë publike emrat e pesë kandidatëve të cilët do të garojnë në zgjedhjet lokale, ku në në Kumanovë do të garon me Zoran Gjorgjievskin, ndërsa në Strumicë me Marjan Bajraktarov.
NAIM RAMADANI
