Maqedoni
Kuvend, fillon debati rreth pr/ligjit për gjuhët
05.09.2017 18:03
Propozim-ligji për përdorimin e gjuhëve, i cili parasheh avancimin e përdorimit të gjuhës shqipe, ka hyrë në procedurë parlamentare...

Debati mbi propozim ligjin filloi në Komisionin për çështje europiane, pasi drafti është shënuar me simbolin e BE-së. Deputetët e opozitës konsiderojnë se kjo çështje s’ka të bëjë me harmonizimin e ligjeve vendore me ato të BE-së dhe kërkuan që t’i hiqet simboli dhe ky ligj të mos diskutohet në këtë komision, por në Komisionin për sistem politik dhe marrëdhënie mes bashkësive. Mirëpo, kërkesa u hodh poshtë nga shumica.
“Të mos fillohet komision në të cilin keqpërdoret simboli europian, për ligj dhe rregullativë që nuk ka asgjë të përbashkët dhe nuk është shënuar në propozim ligj me asnjë rregullativë të BE-së”,- u shpreh deputeti i VMRO-së, Antonio Milloshoski.
“Është në frymën e MO-së, ligji është në funksion të ndërtimit të mirëbesimit mes komuniteteve, ligji e ndërton kohezionin ndëretnik në RM dhe ligji, qytetarët shqiptarë në radhë të parë, i bën të ndihen më të barabartë se deri më tani”,- u shpreh deputeti i BDI-së, Xhevat Ademi.
Qeveria, në arsyetimin e saj, konsideron se bëhet fjalë për propozim ligj, i cili është pjesë e procesit të integrimit europian dhe propozon që ai të procesohet si i tillë.
Ndryshe, propozim ligji i ri për përdorimin e gjuhëve avancon përdorimin e gjuhës shqipe në nivel lokal dhe qendror, duke rregulluar paralelisht parimet, mënyrën dhe përgjegjësinë e institucioneve për të siguruar përdorimin zyrtar të gjuhës që flasin së paku 20% e qytetarëve dhe shkrimin e tij kundrejt të drejtës së qytetarëve për ta përdorur dhe për ta zbatuar atë gjuhë në procedurat zyrtare.
Projektligji do të sjellë implikime fiskale në Buxhetin e Republikës së Maqedonisë në vlerë prej 1.7 milionë euro, që do të sigurohen në buxhetin e Republikës për vitin 2018.
SHPËTIM NUREDINI
