Inaugurohet xhamia e re në Haraçinë
Ndërtimi ka filluar vitin e kaluar, ndërsa punimet përfundimtare janë mbaruar për rreth 10 muaj......

Me interpretimin e tekbirëve nga ana e hoxhallarëve të pranishëm, në krye me kreun e BFI-së, Sulejman Rexhepin, u bë inaugurimi i xhamisë së re në Haraçinë të Shkupit. Ndërtimi ka filluar vitin e kaluar, ndërsa punimet përfundimtare janë mbaruar për rreth 10 muaj.
Ndërtimi i kësaj xhamie u financua nga ana e donatorëve të jashtëm dhe banorët lokal. Xhamitë kanë qenë dhe do të mbeten rezistenca e shqiptarëve në Maqedoni, u shprehën të pranishmit, duke rikujtuar se gjatë konfliktit të vitit 2001, në shënjestër ishin xhamitë e këtij rajoni.
“Ju, në këtë tempull të shenjtë që keni kontribuar, që ne sot bashkërisht të bëjmë inaugurimin, nuk e keni bë për lëvdata, por ju, ashtu siç thotë edhe Kurani i madhërishëm, xhamitë i ndërtojmë, xhamitë i riparojmë, xhamitë ju ringjallin, vetëm ata që kanë imamë të vendosur në Allahun fuqiplotë”, deklaroi kryetari i BFI-së, Sulejman Rexhepi.
“Dua të përshëndes të gjithë ata organizatorë, iniciatorë dhe ata që punojnë, vetëm Zoti i shpërblen. Nijeti i mirë dhe puna e mirë tregon bashkim dhe unitet. Për një kohë shumë të shkurtë arritëm ta ndërtojmë këtë xhami dhe përkrahja e pushtetit lokal nuk ka munguar dhe nuk do të mungojë”, theksoi kryetari i Komunës së Haraçinës, Brahim Ajvazi.
“Kjo ishte ide e kamotshme nga pleqtë, tani të cilët disa janë edhe të vdekur, disa janë edhe gjallë. Ka qenë një ide dhe me na e bëni Zoti që ta marrim këtë karavan dhe ta udhëheqim këtë ndërtim”, potencoi hoxhë Shefqet Baftjari.
Për ndërtimin e xhamisë, qytetarët nuk mund t’i përshkruajnë ndjenjat shpirtërore dhe festive që ata i ndjejnë.
“Ma kënaqësi se ndërtimi i xhamisë në ditën e sodit nuk e përjetoj, vetëm atë ditë kur isha në Haxh”, u shpreh një qytetarë.
“Me iniciativën e disa bashkëqytetarëve tanë, e vendosëm për ndërtimin e xhamisë dhe kishte nevojë, pasi që është më larg nga xhamia qendrore”, tha një qytetarë tjetër.
“Ndërtimi i kësaj xhamie është shumë emocionues, pasi që banorët e këtij vendi rregullisht kanë pasur dëshirë që të bëhet një xhami, që do t’i bashkon dhe unifikon qytetarët”, potencoi një qytetarë.
Me këtë rast, krerët e BFI-së zyrtarisht hoxhës dhe Këshillit të Xhamisë i dhanë autorizimet për mirëmbajtjen e xhamisë në të ardhmen. (Afrim Tanallari, TVM2)
