QKR

Ashensorë për personat me hendikep në QKR

13.06.2014 18:00

Pas shkollës fillore “Mihajllo Pupin” dhe shkollës së mesme “Arseni Jovkov”, personat me nevoja të posaçme do të kenë qasje edhe në Qendrën Kulturore për të Rinj në Shkup............

Pas  shkollës fillore “Mihajllo Pupin” dhe shkollës së mesme “Arseni Jovkov”, personat me nevoja të posaçme do të kenë qasje edhe në Qendrën Kulturore për të Rinj në Shkup, pasi sot u lëshua në përdorim ashensori për personat me nevoja të posaçme. Bëhet fjalë për një investim prej 2 milion denarësh nga qyteti i Shkupit.

“Me këtë do t’u mundësohet personave me nevoja të posaçme, të cilët do të vijnë në Qendrën Kulturore për të Rinj, me ashensor të mund të ngjiten lartë, të jenë të pranishëm në sallën për koncerte apo në hapësirat tjera, ku do të ketë ahengje apo aktivitete të ndryshme”, deklaroi kryetari i Shkupit, Koce Trajanovski.

Sipas Trajanovskit, qyteti i Shkupit është qyteti i vetëm ballkanik i cili ka të organizuar transport për personat me nevoja të veçanta nëpërmjet ndërmarrjes publike dhe qytetarët mund të paraqiten që të shkojë automjeti t’i merr dhe t’i dërgojë në mjek, apo në ndonjë institucion tjetër dhe t’i kthejë në shtëpi.

Po ashtu, për t’u mundësuar qasje kësaj kategorie të qytetarëve deri te institucionet, në periudhën e kaluar janë ndërtuar edhe rampa qasëse në mbi 18 shkolla të kryeqendrës, kështu që të gjitha shkollat dhe institucionet e kulturës u mundësojnë qasje personave me hendikep. (Gyltene Sinani, TVM2)