FRI

FRI realizoi projektin “Talentium”

13.06.2014 18:07

Për 4 muaj, nxënësit e shkollave të mesme nga Shkupi, Tetova, Kumanova dhe Kërçova u trajnuan dhe dëgjuan ligjërata në 3 fusha: komunikim, media dhe lidership......

Projekti “Talentium” i organizuar nga “Forumi Rinor Islam”, është një program i detajuar që u dedikohet ekskluzivisht nxënësve të shkollave të mesme dhe që ka për qëllim zbulimin dhe zhvillimin e aftësive dhe shkathtësive te të rinjtë.

Për 4 muaj, nxënësit e shkollave të mesme nga  Shkupi, Tetova, Kumanova dhe Kërçova u trajnuan dhe dëgjuan ligjërata në 3 fusha: komunikim, media dhe lidership.

“Janë disa cikle aftësish që ndoshta nxënësit nuk mund t’i përfitojnë në shkollimin formal, por ndoshta kanë mundur ta kuptojnë thelbin e ligjëratave të trajnuesve, që janë munduar për 12 javë rresht të punojnë në mënyrë intensive me nxënësit”, deklaroi anëtari i kryesisë së FRI-së, Fisnik Shabani.

Mbrëmë në Shkup, më të mirët u përballën në kategorinë e fjalimeve motivuese dhe medias. Të rinjtë pjesëmarrës janë shumë të kënaqur nga kjo mundësi e ofruar.

“Kemi marrë pjesë nëpër ligjërata të ndryshme, me profesorë nga vende të ndryshme që na kanë trajnuar, kemi mësuar shumë gjëra të reja, që do të vazhdojmë t’i zbatojmë në të ardhmen”, theksoi pjesëmarrësja Ramie  Mumishi.

“Do të më ndihmojë shumë si në pjesën e fakultetit, por edhe më tej, sepse komunikimi sot vlen shumë”, potencoi pjesëmarrësja Ebru Abdulla.

Për fjalimet më të mira motivuese me çmimin e  tretë, u shpërblye Adisa Sejdia, për fjalimin “Kampioni mes nesh“, çmimin e dytë e mori Vjollca Idrizi, “Jeto për të lënë gjurmën tënde“ dhe çmimi i parë i takoi Rabie Jahjas, me temën “Kur vullneti është i pamatshëm, pengesat janë mokroskopike“.

Për dokumentarin më të mirë, vendin e 4 e morën nxënësit e Tetovës me materialin “Rrota e jetës“, çmimi i tretë shkoi për filmin “Kurbeti” nga nxënësit e Kërçovës, çmimi i dytë i takoi Kumanovës për dokumentarin“ Libri, shkaku më i mirë“ dhe fitues të çmimit të parë ishin nxënësit nga Shkupi me mesazhin se “Punët e mira shkojnë zinxhir“.

Nga FRI planifikojnë vazhdimin e projektit, sepse vlerësojnë se të rinjtë kanë nevojë të orientohen në fusha të tilla. (Rejhane Bushi-Metaj, TVM2)