AHMETI-THORS

Ahmeti dhe Thors, bisedojnë për rastin “Monstra”

13.06.2014 18:17

Ahmeti: “Besueshmëria dhe kredibiliteti i lëkundur i procesit gjyqësor “Monstra”, varet nga mbikëqyrja dhe vlerësimi i komunitetit ndërkombëtar”...........

Drejtësia nuk guxon të jetë selektive dhe faji asnjëherë nuk mund të jetë kolektiv, por ai duhet të dëshmohet dhe jo të paragjykohet.

Besueshmëria dhe kredibiliteti i lëkundur i procesit gjyqësor “Monstra”, varet nga mbikëqyrja dhe vlerësimi i komunitetit ndërkombëtar.

Kështu është shprehur kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, në takimin e fundit me komisarin e lartë për komunitete të OSBE-së, Astrid Thors.

Temë kyçe e këtij takimi ka qenë procesi gjyqësor “Monstra”.  BDI, që nga fillimi i procesit

“Monstra”, është zotuar se i njëjti do të vëzhgohet edhe nga përfaqësuesit e OSBE-së me të vetmin qëllim, që të hiqen të gjitha dyshimet apo padrejtësitë eventuale që mund të ndodhin në këtë proces. Në Maqedoni, ekzistojnë rrethana objektive për ndihmën dhe monitorimin e proceseve gjyqësor në veçanti, siç është rasti me procesin gjyqësor “Monstra”, thotë eksperti juridik Osman Kadriu. 

Prezenca e faktorit ndërkombëtar edhe si monitorues në një proces gjyqësor, mund të ndikojë pozitivisht të shmangen dyshimet për ndonjë vendim eventual të një procesi të montuar gjyqësor. Gjithnjë sipas Kadriut, gjyqësori në vend është i pavarur dhe ai nuk guxon të ndikohet nga asnjë nga 2 pushtetet tjera në vend, e jo më nga jashtë.

“Faktori i jashtëm, organizatat evropiane me relevancë, në forma të ndryshme e përcjellin procesin gjyqësor dhe ushtrimin e funksionit të pushtetit gjyqësor në çdo Shtet edhe në Maqedoni dhe ato sipas rregullativës së brendshme të çdo Shteti, por nuk mund të ndikojnë as në mënyrë direkte, e as indirekte në zhvillimin e procesit penalo-juridik”, deklaroi eksperti juridik, Osman Kadriu.

Avokatët mbrojtës dhe familjarët e të akuzuarve në procesin gjyqësor “Monstra”, kanë paralajmëruar se nëse Gjykata sjell vendim për dënimin e të akuzuarve, ata drejtësinë do ta kërkojnë edhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Strazburgut.

Ashtu siç është paralajmëruar, më datën 18 qershor, Gjykata do të shpallë vendimin përfundimtar për të akuzuarit në rastin “Monstra”. (Florije Kamberi, TVM2)