Maqedoni
Plani 3-6-9, Osmani: plan mbietnik dhe mbipartiak; Ray: e ardhmja juaj varet nga implementimi i planit
06.09.2017 14:25
Plani 3-6-9 është plan i tërë shtetit, shoqërisë civile dhe organizatave joqeveritare dhe si i tillë kërkon bashkëpunim nga të gjitha organizmat..

Plani 3-6-9 është plan i tërë shtetit, shoqërisë civile dhe organizatave joqeveritare dhe si i tillë kërkon bashkëpunim nga të gjitha organizmat, me qëllim që të realizohet ky projekt që ka për qëllim integrimin e vendit në BE dhe krijimin e mundësive për një jetë evropiane.
Kështu deklaroi zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, në prezantimin e mbikëqyrjes dhe implementimit të projektit qeveritar 3-6-9.
“Që në fillim kemi theksuar se ky plan duhet të reflektojë inkluzivitet të shoqërisë në përgjithësi, nuk është plan i qeverisë është plan i shoqërisë civile gjithashtu, është plan i të gjitha partive politike, edhe tendenca jonë është ta ngrisim në nivel mbietnik, mbipartiak në përgjithësi, si prioritet strategjik, andaj kërkojmë përfshirje të të gjithëve në realizimin e këtij qëllimi, i cili nuk ka si qëllim përfundimtar vetëm integrimin e vendit BE, por krijimin e një shoqërie dhe jete evropiane për qytetarët”,- deklaroi zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani.
Qeveria duhet të investojë për të rikthyer agjendën e integrimit në qendër të vëmendjes, theksoi përfaqësuesi i Fondacionit “Konrad Adenauer”, duke ripotencuar mbështetjen e këtij fondacioni në procesin e dialogut ndëretnik dhe integrimin e vendi në BE.
“E ardhmja e Maqedonisë varet nga implementimi i këtij plani dhe për këtë arsye është më rendësi të veçantë mobilizimi i kapaciteteve kolektive të shtetit, pa marrë parasysh profesionin dhe institucionin, të bëjnë më të mirën për implementimin e reformave në mënyrë të përshtatshme”,- theksoi përfaqësuesi i Fondacionit “Konrad Adenauer” – Maqedoni, Johannes D. Ray.
Përfaqësimi i shoqërisë civile do të jetë pjesë e rëndësishme jo vetëm në sistemit e mbikëqyrjes së planit 3-6-9, por edhe në implementimin e saj, theksuan të pranishmit.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
