Maqedoni

Deponimi i mbeturinave, AP: Nën çdo nivel, jashtë normave ligjore

06.09.2017 14:40

Edhe pse shumë qytete kanë probleme të theksuara me deponitë e egra, vetëdija e qytetarëve ndez alarmin e kuq vetëm kur deponive u vihet zjarri dhe era shqetëson të gjithë...

Në periudhën tjetër, askush nuk ankohet dhe këtë e tregon edhe raporti i Avokatit të Popullit, ku vërehet ulje e ankesave për mbrojtje të së drejtës së ambientit të shëndoshë të jetesës. Numri i parashtresave të dorëzuara deri te Avokati i Popullit, nga 35 sa ishin në vitin 2012, është ulur në 15 në vitin 2016. 
 
Por, edhe në këtë numër të ulët, më shumë parashtresa kanë të bëjnë me  problemin me zhurmën, informoi sot zëvendësavokati i popullit, Vaska Bajramovska - Mustafa. “Nuk është problem vetëm niveli i ulët i vetëdijes ekologjike të qytetarëve. Kur kjo bashkohet me plogështinë e institucioneve për të zgjidhur problemet, atëherë kthehet në një problem edhe më të madh”.
 
Zëvendësavokatja e popullit alarmon për  mosbashkëpunimin dhe mungesën e koordinimit për ndërmarrjen e masave sistematike mes pushtetit qendror dhe atij lokal. Hulumtimi i Avokatit të Popullit për gjendjen me deponimin e mbeturinave në Republikën e Maqedonisë, në vitin 2016, tregon se gjendja me deponimin e mbeturinave është nën çdo nivel, me substandarde dhe pothuaj nuk respektohet asnjë normë ligjore e cila ka të bëjë me këtë çështje.
 
Deponitë rajonale i shfrytëzojnë vetëm 14 komuna, ndërsa 42 komuna shfrytëzojnë deponi lokale për mbeturina komunale të tjera, 11 nuk shfrytëzojnë as deponi lokale e as rajonale.