Botë

Kuotat për emigrantët, GjED refuzon ankesën e Hungarisë e Sllovakisë

06.09.2017 15:03

Gjykata e lartë evropiane e Drejtësisë ka refuzuar sfidën ligjore të vendeve europiano-lindore...

Gjykata e lartë evropiane e Drejtësisë ka refuzuar sfidën ligjore të vendeve europiano-lindore kundër marrëveshjes për shpërndarjen e emigrantëve të arritur në kulmin e krizës së refugjatëve të vitit 2015.

Gjykata Evropiane e Drejtësisë hodhi poshtë  kundërshtimet e Hungarisë dhe Sllovakisë ndaj skemës së detyrueshme të kuotave fikse. Vetëm 28 mijë njerëz janë shpërndarë sipas skemës, ndërsa marrëveshja ishte arritur për të paktën 160 mijë azilkërkues në kohën kur u nënshkrua në shtator të vitit 2015.

Hungaria nuk ka pranuar as edhe një azilkërkues të vetëm që prej hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje dy vite më parë. Zyrtarët e BE-së këmbëngulën që në fillim se skema ishte detyruese për çdo vend anëtar, pavarësisht nëse dikush kishte votuar pro apo kundër saj. Hungaria, Sllovakia, Republika Çeke dhe Rumania i kanë kundërshtuar kuotat e shpërndarjes së refugjatëve.

Ato argumentojnë se problemi nuk ishte i tyre, se politika në fjalë i ekspozonte vendet e tyre ndaj rrezikut të terrorizmit islamik dhe se përfaqësonte një kërcënim ndaj shoqërive të tyre homogjene. Hungaria dhe Sllovakia argumentuan edhe në Gjykatën e Drejtësisë se ka pasur gabime procedurale, e se kuotat nuk ishin një përgjigje e përshtatshme ndaj krizës së emigrantëve. Por, çështja e tyre ligjore u refuzua nga gjykata.